Ballina Sport Debutonte me humbje dhe ndryshoi për Europianin, por Silvinjo ka gjetur formacionin...

Debutonte me humbje dhe ndryshoi për Europianin, por Silvinjo ka gjetur formacionin fitues te Kombëtarja

21
0

Në vitin e tij të parë si trajner i Kombëtares, Silvinjo arriti të shkruante historinë duke e kualifikuar Shqipërinë për herë të dytë në Europian, e madje si vendi i parë në një grup mjaft të vështirë, ku bënin pjesë edhe Polonia e Çekia.

Ndryshe nga shumë trajnerë të tjerë, të cilët kanë provuar me qindra futbollistë, Silvinjo i ka qëndruar besnik lojtarëve që ka pasur në vazhdimësi, duke bërë vetëm ndryshim të vogla në lista, e madje vetëm atëherë kur ishte nevoja për shkak të dëmtimeve që mund të kishte. Veç lojtarëve, Silvinjo i ka qëndruar besnik edhe formacionit, pas në 28 ndeshje si trajner i Shqipërisë, ai e ka ndryshuar vetëm 3 herë skemën, duke provuar 4-1-4-1 në debutim, e duke e mbyllur me 4-2-3-1 teksa ka provuar edhe 4-3-3.

4-1-4-1 – Me këtë rreshtim, Shqipëria ka zbritur në fushë vetëm dy herë, duke u mundur në të dyja ndeshjet. Fillimisht kuqezinjtë mundeshin me rezultatin 1-0 nga Polonia pikërisht në ditën kur Silvinjo debutonte si trajner i Kombëtares. Më pas, braziliani e ka provuar në transfertë ndaj Anglisë, ku sërish kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-0. Në asnjë rast tjetër, trajneri kuqezi nuk e ka provuar këtë skemë. 4-3-3 – Silvinjo ka tentuar disa herë edhe rreshtimin me 4 mbrojtës, 3 mesfushorë e 3 sulmues, por sërish nuk është bindur e madje në 6 ndeshje që e ka provuar, Shqipëria ka pasur 2 fitore, 2 humbje dhe 2 barazime, duke mos sjellë stabilitet në rezultatet e Shqipërisë. Fillimisht, Silvinjo e provonte ndaj Moldavisë në kualifikueset e Europianit, duke e fituar atë ndeshje 2-0, teksa për herë të fundit, e ka përdorur në ndeshjen ndaj Gjibraltarit, aty ku kuqezinjtë fituan 1-0 me një penallti të kthyer në gol nga Jasir Asani, lojtar ky që shënonte edhe në fitoren ndaj Moldavisë.

4-2-3-1 – Formacioni me të cilin Silvinjo është i dashuruar, është pikërisht ky rreshtim, ku veç 4 mbrojtësve, Silvinjo preferon të ketë 2 mesfushorë që ndihmojnë mbrojtjen dhe 1 mesfushor që mund të ndihmojë treshen e sulmit. Këtë rreshtim, trajneri brazilian e ka përdorur në 20 ndeshje nga 28 të mundshme, duke fituar 10 prej tyre, duke barazuar në 5 dhe ka humbur 5 të tjera gjithashtu. Fitorja 1-3 në Ishujt Faroe, ishte hera e parë për kuqezinjtë teksa diçka të tillë e përdori edhe në fitoren ndaj Letonisë, vetëm pak ditë më parë në Tiranë.

Me rreshtimin 4-2-3-1, Shqipëria arrinte të fitonte edhe 2 ndeshjet më të rëndësishme në kualifikueset e Europianit, atë ndaj Polonisë dhe Çekisë, fitore këto që i dhanë kuqezinjve kryesimin e grupit duke siguruar kualifikimin në Europian.

LISTA E LOJTARËVE- Silvinjo ka qenë nga ato trajnerë që në 2 vite e gjysmë në krye të Kombëtares, ka provuar shumë pak lojtarë. Në fakt, në Ligën e Kombeve pritej që të kishte shumë futbollistë, megjithatë ai i qëndroi listës së Europianit. Në total, Silvinjo ka provuar te Kombëtarja 52 futbollistë, ndryshe nga trajnerët e tjerë që në statistika, kanë provuar shumë më shumë lojtarë të rinj, të afruar rishtazi te kuqezinjtë.