Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka miratuar kërkesën e shoqërisë “White Roads Hotel” sh.p.k. për saktësimin dhe përcaktimin e koordinatave të plazhit, duke përditësuar vendimin e mëparshëm të vitit 2022.
Sipas vendimit më të fundit, bregdeti i vënë në dispozicion për projektin “White Roads Hotel” do të përcaktohet sipas koordinatave të reja të përfshira në hartat e përcaktuara.
Marrëveshja për përdorimin e kësaj hapësire do të lidhet ndërmjet investitorit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB), pas vënies në funksion të strukturës akomoduese, ndërsa tarifa e përdorimit do të caktohet nga Këshilli Bashkiak. Komiteti ruan të drejtën e anulimit të statusit strategjik në rast se gjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit konstatohen të dhëna të pavërteta ose të rreme.
Historiku i projektit
Projekti “White Roads Hotel” ka marrë statusin e investimit strategjik me vendimin e KIS nr. 1/6, datë 05.04.2022.
Në shtator 2022, me VKM nr. 593, u miratua lidhja e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe subjektit. Kontrata u firmos më 03.10.2022. Më pas, në gusht 2023, KIS me vendimin nr. 34/11 miratoi zgjerimin e sipërfaqes së zhvillimit të projektit.
Në dhjetor 2024, me VKM nr. 770, u bë një shtesë dhe ndryshim në kontratën e qirasë me tarifën 1 euro. Kontrata e vitit 2022 u amendua me aktin e ri noterial më 19.12.2024.
Subjekti me shkresë zyrtare ka kërkuar saktësim dhe miratim të koordinatave të plazhit të VKIS Nr. 1/6, datë 05.04.2022 dhe VKIS Nr. 34/11 datë 01.08.2023 dhe unifikimin në një vendim të vetëm të koordinatave të vijës bregdetare sipas hartave bashkëngjitur vendimit, i cili ka dhënë miratimin përfundimtar./ekofin.al