Ballina Kosovë Qeveria e Kosovës reagon pas pezullimit të dialogut nga SHBA

Qeveria e Kosovës reagon pas pezullimit të dialogut nga SHBA

16
0

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, ka reaguar Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili tha se veprimet e Qeverisë janë legjitime, kushtetuese dhe në funksion të garantimit të stabilitetit afatgjatë në vend.

Në reagimin e tij, Kryeziu theksoi se Qeveria aktuale është e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke kontribuar në stabilitetin institucional dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.

“Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji, luftim të krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e vendit”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se përballja me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë nuk ka qenë e drejtuar kundër qytetarëve serbë të Kosovës, por kundër grupeve që kanë penguar integrimin dhe bashkëjetesën.

Qeveria, sipas tij, ka ndërmarrë hapa për integrimin e qëndrueshëm të serbëve në institucionet e Kosovës përmes punësimit dhe arsimit, si dhe ka garantuar që nuk ka pasur vakuum në ofrimin e shërbimeve publike në komunat me shumicë serbe.

Duke iu referuar kritikave të kryeministrit Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu sqaroi se ato lidhen me vonesat në trajtimin e ligjeve të rëndësishme, siç është Ligji për Fondin Sovran, i cili është në pritje të vendimit për më shumë se 1 vit e 8 muaj.

“Kryeministri ka theksuar se me vonesat e saj, Gjykata Kushtetuese është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive opozitare për të vonuar reformat”, tha ai.

Në fund të reagimit, Qeveria e Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe theksoi gatishmërinë për të mirëpritur kritikat kur ato janë konkrete, duke theksuar përkushtimin për përmirësim të vazhdueshëm.

“Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon”, u tha në reagim.