Ballina Europë Tragjedi në Itali/ Kërkuesja shkencore përplaset për vdekje nga një automjet ndërsa...

Tragjedi në Itali/ Kërkuesja shkencore përplaset për vdekje nga një automjet ndërsa kalonte rrugën

18
0

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Trieste, ku një 25-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga një automjet, mbrëmjen e së premtes.

Viktima është identifikuar si Marta Giannelli, një kërkuese shkencore e re me origjinë nga Melzo, në provincën e Milanos.

Ajo ishte duke kaluar rrugën në Via Fabio Severo, një zonë e ndriçuar dhe e afërt me kampusin universitar, kur u përplas me forcë nga një mjet ‘Jeep’. Sipas dëshmitarëve, mjeti nuk ka frenuar fare dhe trupi i vajzës është hedhur disa metra larg, ndërsa automjeti ka përfunduar mbi ndarësen mes dy korsive, duke rrëzuar barrierat metalike.

Në drejtimin e makinës ndodhej një punonjës i Bashkisë së Triestes, i cili rezultoi negativ në testin e alkoolit. Viktima, ndërkohë, ishte vajza e dy prindërve juristë.

E para që i ka ardhur në ndihmë Martës ishte një mjeke që po kalonte rastësisht pranë vendit të aksidentit. Ajo nisi menjëherë manovrat e ndihmës së shpejtë, të cilat u vijuan edhe nga ekipi i emergjencës së shërbimit 118, por përpjekjet për ta mbajtur në jetë rezultuan të pamjaftueshme.

Marta Giannelli kishte përfunduar studimet në degën e Kimisë pranë Universitetit Shtetëror të Milanos në shkurt 2024, dhe prej një viti ishte zhvendosur në Trieste pasi kishte fituar një konkurs për një bursë kërkimi shkencor.

Ajo punonte si kërkuese pranë Departamentit të Shkencave Kimike dhe Farmaceutike, nën drejtimin e profesoreshës Barbara Milani, e cila është shprehur e shokuar për humbjen e parakohshme të studentes së saj.

“Marta ishte një vajzë e shkëlqyer, plot pasion dhe ide. Ishte e talentuar në laborator, me shumë nisma dhe dëshirë për të përparuar. Po planifikonte një eksperiencë jashtë vendit dhe ishte shumë e lumtur për këtë perspektivë. Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë, jo në moshën 25-vjeçare. Është e papranueshme”, deklaroi profesorja për gazetën lokale Il Piccolo.