Ballina Kulturë “Mure që flasin”, historia e “Shtëpisë me gjethe” në platformën e BE-së...

“Mure që flasin”, historia e “Shtëpisë me gjethe” në platformën e BE-së “Ditët Evropiane të Trashëgimisë”

19
0

“Shtëpia me gjethe”, një muze i pazakontë dhe “privilegj” i vendeve që kanë përjetuar diktatura apo që kanë qenë në kahun lindor të “Perdes së hekurt”, tërheq vëmendjen e çdo vizitori në Tiranë, të etur për të njohur historinë e para `90-ës.

Ndërsa muzeut nuk i mungojnë asnjëherë vizitorët, “Shtëpia me gjethe” njoftohet se është përzgjedhur të prezantohet në platformën European Heritage Days, një program i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe i Bashkimit Evropian.

“Në thirrjen për t’u bërë pjesë e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë u përzgjodh historia jonë e cila u publikua edhe në faqen e këtij programi”, shpjegon për ATSH-në, Etleva Demollari, drejtoresha e muzeut kombëtar “Shtëpia me gjethe”.

Muzeu mori pjesë në programin e këtij viti me historinë “Mure që flasin”, përmes të cilit tregohet se si muret e muzeut, perdet dhe çdo sipërfaqe është shndërruar në një rrëfim përmes statistikave, grafikave, teksteve, audiove dhe objekteve të cilat i japin zë “Shtëpisë me gjethe”, duke e vënë theksin te dëshmitë e të persekutuarve nga regjimi komunist.

Demollari thotë se ky muze ka në fokus brezin e ri dhe duke ftuar ish-të dënuar të regjimit komunist, muzeu përpiqet të vërë në vend dinjitetin e viktimave dhe të promovojë debatin mbi padrejtësitë e kaluara. Kështu jepet një ndihmë në vënien e një drejtësie morale dhe ruajtjen e demokracisë.

Historia “Mure që flasin” (The Talking Walls) nënvizon rolin e muzeut si një hapësirë kujtese dhe edukimi mbi të kaluarën e vështirë të vendit tonë, duke e kthyer në një qendër reflektimi dhe dialogu për demokracinë.

Ditët Evropiane të Trashëgimisë është një program i përbashkët mes Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ngjarje me pjesëmarrje të gjerë dhe më e festuara ndër popujt e Evropës në lidhje me trashëgiminë, shkruan atsh.

“Këto janë vlera evropiane të cilat ndahen nga të gjitha vendet e Evropës. Tregimi ynë shpalos mënyrën se si muret e muzeut bëhen dëshmitarë të së shkuarës, duke sjellë zërat e atyre që vuajtën gjatë diktaturës dhe duke na kujtuar rëndësinë e lirisë dhe të demokracisë sot”, thotë Etleva Demollari.

Ajo shpjegon se tematika e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë ndryshon çdo vit. Këtë vit tematika është “Arkitektura – dritare në të shkuarën dhe derë për të ardhmen”. Edhe muzeu “Shtëpia me gjethe”, si shumë institucione të tjera evropiane, do të zhvillojë një aktivitet me këtë temë të përcaktuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian. Aktiviteti do të mbahet në kuadër të konferencës “Dritëhije”, në datën 26 shtator.