Ballina Ekonomia Autoriteti i Konkurrencës hap hetim në tregun celular, fton përdoruesit të raportojnë...

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim në tregun celular, fton përdoruesit të raportojnë problematikat

23
0

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, duke vendosur në fokus dy operatorët kryesorë që veprojnë në vend, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA. Hetimi mbulon periudhën 1 janar 2022 – 25 korrik 2025 dhe ka si objektiv kryesor mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë.

Në njoftimin zyrtar, institucioni thekson se synon të garantojë një treg të lirë dhe konkurrent, ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin shërbimin që u përshtatet më shumë, si për cilësi, ashtu edhe për çmim.

“A jeni përdorues i shërbimeve celulare? Kontributi juaj ka rëndësi!” – është thirrja që Autoriteti i drejton përdoruesve, duke i ftuar të ndajnë ankesat, shqetësimet apo problematikat që hasin në përditshmërinë e tyre me këto shërbime. Të interesuarit mund të paraqiten pranë Autoritetit ose të dërgojnë vërejtjet e tyre në adresën elektronike competition@caa.gov.al.

Një treg në rritje, por me sfida

Hetimi vjen në një kohë kur tregu i shërbimeve celulare mbetet segmenti kryesor i industrisë së komunikimeve elektronike në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2024, të ardhurat totale të këtij sektori arritën në 39.3 miliardë lekë (afro 400 milionë euro), duke regjistruar një rritje prej 4% krahasuar me vitin paraardhës.

Sipas të dhënave të AKEP, në fund të 2024-s ishin regjistruar mbi 3.4 milionë karta SIM, ndërkohë që përdorues aktivë rezultuan rreth 2.5 milionë. Shqiptarët shpenzuan mesatarisht 7.14 euro në muaj për paketa celulare – nivel më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 11.09 euro.

Përdorimi i internetit celular gjatë vitit shënoi 61 milionë gigabyte, ndërkohë që thirrjet zanore regjistruan një rritje prej 9.5%, duke treguar se përdoruesit vijojnë t’i kushtojnë rëndësi komunikimit tradicional, përkrah shërbimeve të të dhënave.

Pritshmëritë nga hetimi

Ky hetim pritet të ndihmojë në qartësimin e praktikave tregtare të operatorëve, transparencës së ofertave dhe ndikimit të tyre tek konsumatorët. Autoriteti i Konkurrencës ka sinjalizuar se do të marrë në konsideratë jo vetëm çmimet, por edhe cilësinë e shërbimeve dhe mundësinë reale që kanë qytetarët për të zgjedhur.

Në këtë proces, zëri i përdoruesve shihet si faktor kyç. “Nevojitet që çdo përdorues të kontribuojë me përvojën e tij, në mënyrë që hetimi të reflektojë situatën reale të tregut”, nënvizohet në njoftim.

Hetimi i nisur është një hap me rëndësi për të garantuar një treg celular më transparent, më të drejtë dhe me përfitime të prekshme për konsumatorin shqiptar.