Projektligji i ri për ‘Barazinë Gjinore’, i dorëzuar këto ditë në parlament, ka ndryshuar ndjeshëm nga drafti fillestar, duke zëvendësuar konceptin tradicional të burrit dhe gruas me një përkufizim gjithëpërfshirës të gjinisë.
Kjo është tentativa e dytë e Edi Ramës për të futur këtë ligj të sponsorizuar nga Sorosi dhe dishepujt e tij. Herën e parë, projektligji u rrëzua nga Gjykata Administrative, duke hedhur poshtë vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kundër Pastorit Akil Pano.
Vendimi lidhet me iniciativën e komunitetit LGBTQ që kërkonte zëvendësimin e prindërve me termin ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’.
Sipas tekstit të ri të depozituar fshehurazi në Kuvend, ‘gjini’ përfshin identitete të tjera përtej binaritetit burrë-grua, duke u lidhur me barazinë dhe mosdiskriminimin për identitetin dhe shprehjen gjinore. Drafti fillestar, Neni 4, i publikuar për konsultim në mars, e kishte qartë: Gra dhe burra, në kuptim të këtij ligji, nënkupton edhe vajza dhe djem.
‘Gra dhe burra’, duke përfshirë vajzat dhe djemtë. Por gjatë konsultimeve, Aleanca LGBTI kërkoi zgjerimin e përkufizimit për të përfshirë identitete të tjera gjinore, kërkesë që u pranua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ky ndryshim nuk është thjesht një çështje gjuhësore: futja e termave ‘gjithëpërfshirëse’ dhe ‘shprehje gjinore’ i jep status juridik identiteteve të reja, pa dhënë një listë të qartë të tyre. Në debatet ndërkombëtare, studiues flasin për më shumë se 70 identitete të mundshme, duke vështirësuar zbatimin praktik të ligjit.
Projektligji parashikon gjithashtu kuota të detyrueshme për përfaqësimin gjinor në pozitat drejtuese, nga 30% deri në 50%, jo vetëm në sektorin publik por edhe në privat. Objekti i zbatimit përfshin të gjitha institucionet vendimmarrëse dhe administratën publike.
Kritikët konservatorë ngrejnë shqetësimin më të madh: si do të zbatohet kuota kur numri i gjinive nuk është më vetëm dy? Me dy gjini, gjithçka është e qartë: 30% gra dhe pjesa tjetër burra, ose 50% me 50%. Por nëse njihen katër identitete, secila me 30% kuotë, totali arrin 120%, një gjë e pamundur për t’u zbatuar në praktikë.
Ky ligj rrezikon të krijojë pasiguri juridike, probleme në vendin e punës dhe të imponojë një normë ideologjike mbi shoqërinë që nuk reflekton realitetin tradicional shqiptar.