Ballina Kulturë “Pikë Uji” i Robert Budinës në listën e “The New York Times”...

“Pikë Uji” i Robert Budinës në listën e “The New York Times” me 5 filmat ndërkombëtarë që nuk duhen humbur

26
0

Filmi “Pikë Uji” i regjisorit Robert Budina është përzgjedhur së fundmi nga The New York Times mes pesë filmave ndërkombëtarë që nuk duhen humbur këtë muaj. Ky është një sukses i veçantë për kinematografinë shqiptare, duke e vendosur filmin në vëmendjen e publikut dhe kritikës ndërkombëtare.

Në recensionin e saj, gazeta prestigjioze amerikane e përshkruan filmin si një portret të errët të pushtetit, korrupsionit dhe degradimit moral. Historia fokusohet te Aida (luajtur nga Gresa Pallaska) dhe bashkëshorti i saj Iliri (Arben Bajraktaraj), një çift i fuqishëm që jeton në një pallat luksoz në Pogradec, me pamje nga Liqeni i Ohrit. Aida është forca udhëheqëse e familjes, e përfshirë në projekte fitimprurëse me bashkinë, ndërsa Iliri mbështetet te suksesi i saj.

Jeta e çiftit përmbyset kur i biri adoleshent, Marku (Iancu Paulo), akuzohet për përdhunim së bashku me djalin e kryebashkiakut. Reagimet e menjëhershme të Aidës – mohimi, fajësimi i viktimës, përpjekjet për të përdorur ndikim dhe para – ekspozojnë jo vetëm hipokrizinë e saj, por edhe misogjininë e brendësuar. Ndërsa ajo nis të hetojë më tej, përballet me faktin se pas gjithë shkëlqimit dhe ambicies, mund të ketë ndërtuar një jetë të kalbur mbi themele të gabuara.

The New York Times vlerëson atmosferën vizuale që Budina krijon, përmes toneve të ftohta blu dhe gri dhe perspektivave të shtrembëruara, duke e zhytur filmin në një gjendje të përhershme tensioni dhe duke nxjerrë në pah “kalbëzimin e thellë nën sipërfaqen e jetës së të pasurve dhe të fuqishmëve”.

Kjo përzgjedhje e vendos “Pikë Uji” në krah të prodhimeve të tjera ndërkombëtare të nivelit të lartë dhe shënon një moment të rëndësishëm për prezencën e filmit shqiptar në mediat dhe ekranet botërore.