Ballina Lifestyle Propozimi i pazakontë në Shtëpinë e Bardhë që po bën xhiron e...

Propozimi i pazakontë në Shtëpinë e Bardhë që po bën xhiron e rrjetit

49
0

Një moment romantik dhe jo i zakonshëm ka ndodhur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Dan Scavino, zëvendësshefi i stafit të Donald Trump dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, i propozoi për martesë të dashurës së tij Erin Elmore pikërisht përpara Zyrës Ovale.

Vetë Scavino e bëri publik momentin në rrjetet sociale, duke ndarë një video ku shihet i gjunjëzuar me një unazë diamanti në dorë, ndërsa në sfond dëgjohet muzikë romantike. Ai e shoqëroi postimin me fjalët e thjeshta: “Ajo tha PO”.

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte vetëm propozimi, por vendndodhja e tij, një skenë simbolike e lidhur zakonisht me çështje politike, jo me gjeste personale. Krahasime nuk munguan: Tiffany Trump kishte zgjedhur Kopshtin e Trëndafilave për propozimin e saj, ndërsa Scavino, sipas mediave amerikane u detyrua të gjente një tjetër hapësirë për shkak të rinovimeve që po bëhen aty.

Megjithëse disa kritikuan zgjedhjen e vendit, mbështetja nga rrethet pro-Trump ishte e menjëhershme. Urimet erdhën nga Ivanka dhe Tiffany Trump, Bettina Anderson (partnerja e Donald Trump Jr.) si dhe ish-zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, Sarah Huckabee Sanders dhe Kayleigh McEnany. Vetë Donald Trump shkroi në Truth Social: “Çfarë çifti i mrekullueshëm – urime!”.

Dan Scavino është pjesë e ekipit të Trump prej shumë vitesh, fillimisht si bartës klubi golfi në fushën e tij dhe më pas si menaxher i Trump National Golf Club Westchester. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për profilin e Trump në Twitter gjatë mandatit të parë.

E fejuara e tij, Erin Elmore, u bë e njohur për publikun pas pjesëmarrjes në reality-show “The Apprentice” në vitin 2005. Që nga 2016 ajo ka qenë e angazhuar në kampin politik të Trump dhe aktualisht punon si drejtoreshë arti në ambasadat amerikane pranë Departamentit të Shtetit. Për të dy kjo do të jetë martesa e dytë.