Ballina Ekonomia BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë 3.5% këtë vit

BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë 3.5% këtë vit

41
0

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë 3.5% për këtë vit, duke mbajtur kështu të pandryshuar parashikimin e mëparshëm. Sipas BERZH-it, aspekt pozitiv në parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë është procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Pritet që rritja reale e PBB-së të jetë 3.5 për qind në vitin 2025 dhe 2026. Zbatimi i përshpejtuar i reformave strukturore dhe avancimet e mëtejshme në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, të mbështetura më tej nga zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mund të forcojnë perspektivën e rritjes së Shqipërisë”.

Ndërkohë, BERZH rendit edhe faktorët negativ që mund të ndikojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ndryshimet klimatike, kryesisht thatësira, mund të ndikojnë negativisht në sektorin energjetik dhe në bujqësi. Ndër rreziqet është edhe ulja e remitancave që dërgojnë emigrantët në vendin tonë, thotë BERZH.

“Rreziqet në kahun negativ përfshijnë mundësinë e dobësimit të kërkesës brenda Eurozonës, rënien e dërgesave nga emigrantët dhe faktorët klimatikë të pafavorshëm si thatësira, të cilat mund të vijojnë të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë elektrike dhe bujqësinë”.

Në 3-mujorin e parë të 2025, rritja ekonomike ishte 3.4%, i nxitur kryesisht nga shërbimet dhe ndërtimi.

Inflacioni në vendin tonë në gusht, sipas BERZH, ishte në nivelin 2.3%.