Ballina Kronika Asgjësohen mbi 1400 bimë të dyshuara narkotike në Shkodër, nis hetimi për...

Asgjësohen mbi 1400 bimë të dyshuara narkotike në Shkodër, nis hetimi për 4 kryetarë fshatrash

35
0

Policia ka vijuar aksionin anti-kanabis në qarkun e Shkodrës, ku janë gjetur dhe asgjësuar 1447 bimë dhe ka nisur hetimin për 4 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa në pranga nuk ka rënë asnjë kultivues.

Sipas policisë, në territoret e njësive administrative Pult dhe Shalë, u gjetën 495 bimë të dyshuara narkotike, ndërsa nisi hetimi për për kryetarët e fshatrave Brucaj, Nicaj, Abat dhe Pecaj. Po ashtu në njësitë administrative Kastrat dhe Qendër, në Malësinë e Madhe u gjetën në një parcelë 365 bimë kanabisi. Ndërsa në Temal të Vaut të Dejës u gjetën 587 bimë kanabisi.

Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të kanabisit.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:

-në territoret e njësive administrative Pult,  dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 495 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Brucaj, shtetasin Y. D.; për kryetarin e fshatit Nicaj, shtetasin M. M.; për kryetarin e fshatit Abat, shtetasin N. M.; për kryetarin e fshatit Pecaj, shtetasin D. V.

-në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Qëndër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 365 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

-në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 587 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.”, thuhet në njoftimin e policisë.