Bostani në fushat e fshatit Beshisht të Vlorës ka mbetur në fushë dhe rrezikon të kalbet pasi nuk ka treg për shitje.
Fermerët thonë se nga 40 mijë kuintalë prodhim, nuk është shitur as 10%, duke e konsideruar 2025-ën si vitin më zhgënjyes.
Spiro Balliu, kryeplaku i fshatit Beshisht: “Këtë vit investimi nisi nga katër të rinj, të cilët zgjeruan sipërfaqet e mbjella me shpresën se tregu do t’i shisnin prodhimet. Pritshmëritë nuk u realizuan dhe sot fermerët gjenden të zhytur në borxhe, nga qiratë e tokave, shpenzimet për punën dhe prodhimin final. Për fat të keq, asnjë mbështetje nuk ka ardhur nga shteti.”
Përveç mundit dhe shpenzimeve banorët thonë se kanë marrë edhe kredi të buta për investimet në bujqësi, ndërkohë që i gjithë investimi po shkon dëm
Kristo Ortdolli, fermer: “Dikush na premtoi për ta marrë prodhimin, por nuk e mori na gënjeu. 50 milion lekë shpenzuam, asgjë nuk morëm”
Banorët e fshatit Beshisht, që besuan se duke investuar në tokën e tyre do të kishin një të ardhme më të mirë, sot shohin vetëm humbje dhe zhgënjim. Rasti i tyre i ngjason atyre të dhjetëra fermerëve anëmbanë Shqipërisë që po përballen me mungesë tregu, çmime të ulëta dhe indiferencë shtetërore.