Ballina Aktualitet Opozita në Vlorë kallëzon në SPAK Këshillin Bashkiak dhe Prefektin

Opozita në Vlorë kallëzon në SPAK Këshillin Bashkiak dhe Prefektin

26
0

Kryetarët e grupeve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Prefektit të Qarkut.

Sipas opozitës, procedura e ndjekur për votimin dhe miratimin e ligjshmërisë në lidhje me kryetarin e komanduar të Bashkisë është kryer në kundërshtim me ligjin, duke përbërë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Në kallëzim përfshihet gjithashtu edhe akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, ku përmenden veprimet e deputetit socialist Blendi Çuçi.

Opozita në Këshillin Bashkiak të Vlorës shprehet se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të garantuar respektimin e ligjit dhe transparencën në qeverisjen vendore, duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse të veprojnë me paanësi dhe në përputhje me Kushtetutën.