Departamenti Amerikan i Luftës ka prezantuar një set të ri rregullash dhe standardesh për trupat ushtarake, me fokus të qartë tek përgatitja luftarake, disiplina trupore dhe rritja e përgjegjësisë në udhëheqje.
Rregullat e reja synojnë të rikthejnë përqendrimin tek “luftimi dhe fitorja”, duke larguar shpërqendrimet burokratike dhe politike.
Sipas dokumentit zyrtar, personeli në detyra luftarake do të duhet të arrijë të paktën 70 për qind në testet fizike të standardit për meshkuj, ndërsa testimi formal do të zhvillohet dy herë në vit. Testet do të kryhen në kushte reale, me pajisje të plota ushtarake, për të garantuar gatishmëri të plotë në çdo mjedis.
“Nëse Sekretari i Luftës mund të bëjë ushtrime të rënda rregullisht, atëherë mundet edhe çdo pjesëtar i forcës sonë të përbashkët,” thuhet në deklaratë, duke e bërë të qartë se nuk do të ketë më përjashtime nga kërkesat fizike.
Gjithashtu, po rishikohen rregullat e angazhimit dhe ndërhyrjet ligjore në vendimmarrjen ushtarake, për të reduktuar “menaxhimin e tepërt juridik” dhe për t’u dhënë më shumë fleksibilitet komandantëve në fushën e betejës.
Një tjetër pikë kyçe është vendosja e standardeve të rrepta për peshën dhe përbërjen trupore. “Jo trupa të shëndoshë, jo gjeneralë të shëndoshë”, është një prej parullave që thekson orientimin e ri të ushtrisë amerikane.
Në përpjekje për të ndryshuar kulturën organizative, Departamenti i Luftës ka vendosur mbylljen e zyrave për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje (DEI), duke i quajtur ato “shpërqendrime” nga qëllimi kryesor i forcës ushtarake – përgatitja për luftë.
Po ashtu, trajnimet do të fokusohen më pak në prezantime PowerPoint apo kurse online, dhe më shumë në praktikë, si stërvitjet në poligon dhe mirëmbajtja e mjeteve ushtarake.
Një mesazh i drejtpërdrejtë është drejtuar edhe komandantëve “A do të doje që fëmija yt të shërbente me trupa të papërshtatshëm dhe të patrajnuar?” – një thirrje për ndërgjegjësim dhe llogaridhënie personale.
Dhe për ata që ndjejnë se nuk mund t’i përmbushin këto standarde “Nëse këto kërkesa të rëndojnë në zemër… jep dorëheqjen”.
Këto masa vijnë në një kohë kur Pentagon-i po përballet me kritika të shumta për mungesën e disiplinës, dobësimin e gatishmërisë dhe politizimin e forcave të armatosura.