Ballina Kulturë Orkestra Simfonike e TKOBAP-së për herë të parë në festivalin Respighi në...

Orkestra Simfonike e TKOBAP-së për herë të parë në festivalin Respighi në Bolonjë

27
0

Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjitet për herë të parë në skenën prestigjioze të Teatro Auditorium Manzoni në Bolonjë (Itali), si pjesë e festivalit Respighi Bologna 2025, një ndër festivalet muzikorë më të rëndësishëm në Europë.

Festivali Respighi i Bolonjës është festivali i parë rezident i kushtuar Ottorino Respighi-t, një prej kompozitorëve më të mëdhenj italianë të shekullit të 20-të, shkruan atsh.

Debutimi, më 13 tetor 2025, e vendos orkestrën shqiptare, në qendër të vëmendjes së një audience ndërkombëtare. Artistët shqiptarë do të dirigjohen nga spanjolli Sergio Alapont. Për t’u veçuar është edhe pjesëmarrja e violinistit Giuseppe Gibboni, një nga talentet më të shquara të gjeneratës së tij.

Në program janë: Nikolaj Rimskij-Korsakov – Ouverture, op. 28; Niccolò Paganini – Koncerti për violinë nr. 2 në si minor, op. 7 (solist Giuseppe Gibboni); Sergej Rachmaninov / Ottorino Respighi – Cinq Études-tableaux, P 160; Igor Stravinskij – Suite nga L’Uccello di fuoco (The Firebird).

Përpara debutimit në Itali, Orkestra Simfonike e TKOBAP-së do të prezantojë të njëjtin program për publikun shqiptar, më 9 tetor 2025, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert vjen si një ngjarje e jashtëzakonshme, ku violinisti Giuseppe Gibboni do të ngjitet në skenë menjëherë pas dy shfaqjeve të tij me Orkestrën Filarmonike të Teatrit “La Scala” të Milanos.

Në këto aktiviteteve do të përfshihen edhe disa instrumentistë të rinj të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura.

Festivali konsiderohet një “festival rezident”, sepse është emërtuar dhe kushtuar një kompozitori specifik italian, Ottorino Respighi, si dhe zhvillohet në vendin e tij të lindjes dhe brenda kontekstit kulturor frymëzuar prej tij.