Ballina Politika Zgjedhjet në gjashtë bashki, mbi 1 milion shqiptarë do t’i drejtohen kutive...

Zgjedhjet në gjashtë bashki, mbi 1 milion shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit në 9 nëntor

37
0

Më 9 nëntor, mbi 1 milion shqiptarë do të thirren për të votuar në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit: Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë. Zgjedhësit do të kenë vetëm një fletë votimi, për kryetarin e bashkisë, pasi këshillat bashkiakë të zgjedhur në vitin 2023 vijojnë detyrën.

Këto zgjedhje vijnë pas një sërë zhvillimesh politike që çuan në vakanca në drejtimin vendor, duke përfshirë arrestime, dorëheqje dhe emërime të reja në poste qeveritare e parlamentare.

Tirana është bashkia më e madhe dhe më e rëndësishme në këtë proces, me 940 qendra votimi për rreth 700 mijë zgjedhës, megjithëse në vitin 2023 morën pjesë vetëm afro 300 mijë. Në krahun tjetër, Tepelena është bashkia më e vogël, me vetëm 22 qendra votimi dhe rreth 12 700 zgjedhës, prej të cilëve në zgjedhjet e fundit votuan vetëm 5 mijë.

Pjesëmarrja historike në këto bashki ka qenë dukshëm më e ulët se numri i zgjedhësve të regjistruar. Për shembull, në Vlorë prej 168 mijë zgjedhësish, vetëm 41 mijë shkuan në votime në 2023; në Berat nga 81 mijë, votuan vetëm 28 mijë. Situata është e ngjashme edhe në Mat e Cërrik, ku pjesëmarrja ka qenë nën gjysmën e elektoratit.

Kryetarët që do të zgjidhen më 9 nëntor do të ushtrojnë një mandat të pjesshëm deri në pranverën e vitit 2027, në të njëjtën linjë me të gjithë kryebashkiakët e tjerë në vend.

BASHKIA            QENDRA VOTIMI          VOTUES           PJESËMARRJA 2023
Tiranë                           940                       700 000                 300 000
Mat                               49                         30 000                  14 000
Cërrik                           58                         38 000                  12 000
Berat                           117                        81 000                  28 000
Vlorë                            226                       168 000                41 000
Tepelenë                      22                         12 700                  5 000