Genc Maloku, babai i Andi Malokut i cili humbi jetën në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj në mbikalimin e Shkozetit ka rrëfyer në GJKKO detaje nga ngjarja.
Maloku ka rrëfyer se momentin kur i biri e ka telefonuar pasi ishte qëlluar, duke i thënë që ishte keq, ndërsa ka shtuar se fillimisht ka menduar se gjithçka ka qenë një shaka.
Ndërkohë Maloku ka treguar se ka zhvilluar takime me familjarët e Redjan Rrajës.
“Tre pleq kanë ardhur, një me mbiemër Boja, një plak. Mos keni konflikte gjëra, gjersa të zbardhet. Këtë më thanë. Takimi i parë është bërë në Tiranë, takimi tjetër është bërë në Sukth. Biseda ishte që të prisnim fillimisht të dilte e vërteta”, tha ai.
Ai ka dëshmuar gjithashtu se në portën e banesës i kishin dorëzuar një USB, ku shihej Redian Rahaja me një kapele dhe një person tjetër.
“Halit Valterin e njoh. Ia kërkova unë takimin. I dhashë një USB. Ishte deputet në atë kohë. Ma sollën poshtë derës në një zarf USB, pak kohë pas ngjarjes. E hapa, ishte Redjan Rraja me kapele. Ishte dhe një qeros. USB e prisha. Autorët janë Redjan Rraja. Kanë dalë. Unë vetë di që autorët janë këta. Plaurent Dervishaj, Juljanin nuk e njoh, Vullnet Muçën e njoh. E njoh se jam rritur aty, është vëllai i Rrumit. USB e prisha unë”, tha ai.