Ballina Lifestyle Avokatët e Cassie Ventura reagojnë pas dënimit të Sean “Diddy” Combs

Avokatët e Cassie Ventura reagojnë pas dënimit të Sean “Diddy” Combs

0
25

Avokatët e këngëtares Cassie Ventura kanë reaguar pas shpalljes së vendimit ndaj Sean “Diddy” Combs. Të premten, më 3 tetor, Gjykata Federale dënoi Combs me 50 muaj burg pas një gjyqi gati dy mujor që përfundoi në korrik me shpalljen fajtor për dy akuza të transportimit për të kryer prostitucion. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut seksual dhe të zhvatjes. Duke marrë parasysh kohën e qëndrimit në paraburgim, Combs do të vuajë 36 muaj burg real dhe më pas pesë vite mbikëqyrje, ndërsa gjyqtari Arun Subramanian i vendosi edhe gjobën maksimale prej 500 mijë dollarësh.

“Ndërsa asgjë nuk mund ta fshijë traumën e shkaktuar nga Combs, dënimi i sotëm njeh seriozitetin e veprave të tij,” thanë avokatët Douglas Wigdor dhe Meredith Firetog (Wigdor LLP) në deklaratën për media. “Ne jemi të bindur se me mbështetjen e familjes dhe miqve, zonja Ventura do të vazhdojë procesin e shërimit, duke ditur se guximi i saj ka qenë frymëzim për shumë njerëz,” shtuan ata.

Cassie, e cila nga viti 2007 deri më 2018 ishte në një marrëdhënie të ndëprerë me Combs, në nëntor 2023 ngriti një padi për abuzim seksual dhe dhunë fizike, e cila u zgjidh një ditë pas depozitimit. Më vonë, publikimi i një videoje të vitit 2016 që supozohet se tregonte Combs duke e dhunuar fizikisht në një hotel solli në dritë akuza të tjera.

Ventura, tashmë shtatzënë me fëmijën e saj të tretë, dëshmoi gjatë gjyqit federal për trafikun seksual, duke dhënë detaje të forta mbi marrëdhënien dhe festat e ashtuquajtura “Freak Off”.