Ballina Aktualitet ‘Jo një tjetër korrik i turpit ‘/ Apeli drejtuar qeverisë nga Famullitari...

‘Jo një tjetër korrik i turpit ‘/ Apeli drejtuar qeverisë nga Famullitari i Thethit: Ndaloni prishjen e shtëpive, mbroni dinjitetin e qytetarëve!

16
0

Një thirrje publike ka ardhur nga Famullitari i Thethit dhe Breglumit, At Kastriot Demaj, i cili reagon ndaj shkatërrimit të shtëpive dhe kasolleve prej druri në zonën turistike të Thethit, duke e konsideruar këtë veprim si një gabim të rëndë që nuk duhet të përsëritet.

Në një deklaratë drejtuar Qeverisë së Shqipërisë, At Demaj thekson se e ka për detyrë morale të reagojë, duke marrë shembullin e Famullitarëve të dikurshëm të Shalës që kanë shërbyer për shekuj me radhë “në luftë e në paqe, në gëzime e në hidhërime”.

Ai e konsideron të drejtë themelore që banorët të kenë dokumentacion të pronësisë mbi tokat e tyre në Theth, e jo të përballen me ligje që “cenojnë të drejtat dhe dinjitetin njerëzor”.

“Alpet kanë bukurinë e vet, por më së pari jetën dhe dinjitetin e njeriut”

Në reagimin e tij të shkruar, Famullitari kërkon që qeveria të mos e përsërisë gabimin e korrikut, ku fadromat shkatërruan objekte që ishin pjesë e jetës tradicionale dhe jetike të banorëve të zonës.

Ai e lidh këtë problem me mungesën e infrastrukturës dhe me faktin që zona e Shalës dhe mbarë Dukagjini po braktiset, për shkak të kushteve të vështira të jetesës, mungesës së rrugëve dhe mbështetjes shtetërore.

Në vend të prishjeve, ai bën thirrje për rinovim të rrugës nga Prekali dhe më gjerë, për të mundësuar që banorët të rikthehen dhe të zhvillojnë jetën e zonës me turizëm dhe bujqësi.

“Jepuni mundësinë banorëve të Shalës dhe mbarë Dukagjinit të rinovojnë shtëpitë e vjetra dhe të braktisura, që sot po zhduken për shkak të mjerimit dhe harresës”, thekson ai në fund të reagimit.

 Apel për reflektim dhe për ndalje të shkatërrimeve:

Në përfundim të deklaratës, At Kastriot Demaj bën një thirrje direkte për reflektim ndaj autoriteteve shtetërore, duke kërkuar që mos të përsëritet asnjëherë më gabimi i korrikut, kur u shembën banesa dhe kasolle të ndërtuara me mund nga banorët.

Ai kërkon një reagim pozitiv nga autoritetet për të mbrojtur dinjitetin, trashëgiminë dhe të ardhmen e Thethit dhe Dukagjinit.

Image