Ballina Kronika DOSJA e SPAK/ Grupi Avdyli përpjekje për të gjetur dhe vrarë Plaurent...

DOSJA e SPAK/ Grupi Avdyli përpjekje për të gjetur dhe vrarë Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçin

286
0

Nga Elton Qynono

Është zbardhur dosja penale Nr.235/1 e regjistruar nga prokuroria e posaçme SPAK, ku disa ditë më parë u çuan në pranga disa persona mes të cilëve dhe Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume.

Gazetari Qyno, ka mësuar se grupi Avdyli që bashkëvepronte ngushtësisht me grupin e ish-deputetit të PS në Lezhë Arben Ndoka, ka pasur qëllim dhe ka bërë përpjekje për të lokalizuar dhe më pas organizuar vrasjen e Plaurent Dervishaj dhe Edmond Koçit që në Durrës njihet me nofkën “Çekiçi” ose “Sqepari”.

Në dosjen hetimore thuhet se persona të ndryshëm si Aleksandër Laho, Vullnet Muça alias Laho, Agron Bejdolli dhe Ermira Avdyli, kanë përfituar sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore duke përdorur një skemë të organizuar të hartimit të dokumenteve të falsifikuar, falsifikimin e pjesshëm të dokumenteve zyrtarë të pronave, regjistrimin në mënyrë të kundërligjshme të pronave në regjistrat e ish-ZVRPP Durrës dhe më pas ASHK Drejtoria Durrës transferimin e pronësisë te persona të tjerë dhe në fund shitjen e tyre te individë të interesuar për të blerë pronë në zona me interes të lartë investimi.

Në kuadër të shkëmbimit të informacionit me agjencitë ligjzbatuese europiane, në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë administruar të dhëna për disa shtetas shqiptarë, përdorues të platformës së komunikimit të enkriptuar SkyEÇ, përdorues të kodeve PIN SkyEÇ QICTIT me kontakte të ndryshme midis të tjerëve edhe me përdoruesin e SkyEÇ L629B3.

Nga komunikimet e kryera nëpërmjet platformës SkyEÇ, është evidentuar se përdoruesi i SkyEÇ L62983 dhe përdoruesi SkyEÇ QICTJT në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, përdorues të kësaj platforme, dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të vrasjes, korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve, kryer në formën e posaçme, atë të Grupit të Strukturuar Kriminal.

Nga veprimet hetimore të kryera si dhe nga këqyrja e komunikimeve të përdoruesve Sky EÇ te sipërpërmendur, janë evidentuar edhe përdorues të tjerë të PIN SkyEÇ ID6E0D, SGL385, 90DXEI, DOP6VU, L59U30, MG7G39, LPO41B, 6VQ901, G4SJGK, 2EBA8C, SQL0EC, CK9K29, N8TA74, TED4V0, shqip folës, për të cilët ngrihen dyshime të arsyeshme se kanë kanë komunikuar dhe ndërvepruar midis tyre për të identifikuar vendodhjen me qëllim vrasjen e shtetasit Plarent Dervishi alias Lenti, organizimin dhe vrasjen e shtetasit Edmond Koçi alias “Çekiçi/Sqepari” dhe organizimin dhe vrasjen e shtetasit Edmir Bregu i quajtur edhe Ilir Kuçi alias Maloku.

Në fakt Edmond Koçi, mbeti I vrarë në Durrës në datën 20 Mars 2021, kohë kjo kur nuk është përgjuar aplikacioni “Sky”, pasi ai ka rreshtur së funksionuari deri në 7 mars 2021.

Gjithashtu, disa prej këtyre personave kanë siguruar nga arkivat shtetërore, dokumente origjinale të regjistrimit të pronave, dhe kanë realizuar falsifikimin e dokumenteve duke fshirë pjesërisht përmbajtjen e dokumenteve dhe rishkruar në to fakte të rreme për transaksione me pronat.

Duke falsifikuar pjesërisht ose tërësisht aktet e marrjes së tokës në pronësi, duke hequr fletat e volumit ku janë regjistruar pasuritë dhe zëvendësuar ato me fleta të reja me përmbajtje të falsifikuar, veprime të kryera në bashkëpunim me punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kundrejt përfitimit të parregullt.