Ballina Kronika Mashtronte të rinjtë se do i punësonte si oficerë gjyqësorë, Gjykata e...

Mashtronte të rinjtë se do i punësonte si oficerë gjyqësorë, Gjykata e Sarandës lë në burg 49-vjeçarin

46
0

Alban Muço, i arrestuar për mashtrime të rënda në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Sarandën, u paraqit sot para Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Në një deklaratë të pazakontë, ai pretendoi se kishte krijuar bindjen se vepronte si prokuror i SPAK-ut.

“Më ishte krijuar bindja se isha prokuror i SPAK-ut. Jam i pafajshëm, nuk kam dëmtuar asnjë qytetar,” deklaroi Muço në sallën e gjyqit.

Hetimet kanë zbuluar se  Alban Muço ka mashtruar disa të rinj në Sarandë, duke u premtuar punësim në institucione të drejtësisë. Ai u ishte prezantuar si funksionar i lartë pranë Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke i “emëruar” si hetues të BKH-së, shoferë dhe truproja personale.

Sipas dëshmive të mbledhura, ai u kishte premtuar një pagë mujore prej 2800 eurosh, plus dieta dhe shpenzime të tjera, të cilat – sipas tij – do të paguheshin nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në seancë, avokati i tij, Armand Çaushi, kërkoi caktimin e masës më të lehtë, duke argumentuar se Muça nuk ka rrezik për t’u larguar dhe se nuk ka qëllim kriminal.

“Klienti im ka pretenduar se po jetonte në një fazë deluzionale, që mendonte se ishte prokuror, por që pretendon se nuk ka sjellë asnjë pasojë të rëndë apo pakësim të pasurisë së personave të tjerë” deklaroi Çaushi.

Pavarësisht kërkesës së avokatit, Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Alban Muço dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke vlerësuar rrezikun e lartë shoqëror dhe mundësinë e ndikimit në hetimet në vijim.