Ballina Opinion Një falje e munguar për fyerjen publike të Kryeministrit!

Një falje e munguar për fyerjen publike të Kryeministrit!

43
0

Nga Denis Dyrnjaja

Nga momenti që Gjykata Kushtetuese vendosi të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, nisi një debat që sfidon jo vetëm parimet e ndarjes së pushteteve, por edhe mënyrën se si kryeministri i vendit i adreson institucionet më të larta të rendit kushtetues. 

Në një deklaratë publike, Kryeministri Edi Rama, në përpjekje për të zhvlerësuar ata që kundërshtonin dekretin e Presidentit, u shpreh fjalë për fjalë. 

“Ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit të presidentit për zgjedhje, nuk kanë faj, se nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale dhe as dijen mbi kushtetutën të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të presidentit.” 

E para që bie në sy është përçmimi. E dyta është cinizmi. E treta, dhe më e rënda, është se kjo deklaratë është një goditje direkte për integritetin e trupës dë Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo individi që nuk mendon si kryeministri kapriçioz, por si individ që ka mendimin e tij dhe për më tepër dijet e tij e që nuk mund e duhet të trajtohet me fyerje të parakohshme denigruese. Sepse pikërisht Gjykata Kushtetuese pasi mori në shqyrtim dekretin e Presidentit e rrëzoi atë njësoj siç e kishin paralajmëruar Kryeministrin “te paditurit” që i paraprinë vendimit të kushtetueses. 

Nëse sipas kryeministrit, çdokush që dha opinionin e tij të qartë për një dekret në shkelje të kushtetutës, pikërisht duke iu referuar asaj si ligji themeltar i shtetit dhe prevalues mbi çdo ligj tjetër, është një injorant dhe i paditur, atëherë çfarë duhet të themi për 9 gjyqtarët e kushtetueses që e pranuan, shqyrtuan dhe votuan unanimisht kundër dekretit të presidentit të iniciuar dhe mbështetur nga kryeministri? A janë edhe ata të pashkollë? Të padijshëm? Të varur intelektualisht? Apo fjalët e kryeministrit vlejnë vetëm për ata që nuk mendojnë si ai? 

Ky është një moment që kërkon sqarim publik. Në demokraci, askush nuk është mbi institucionet, përfshirë kryeministrin. Dhe për më tepër ai që ishte i pari që e ndërmori këtë nismë proceduriale totalisht në nxitim dhe gabim, duhej të ishte i fundit që të fliste pasi gjykata të kishte dhënë vendim. Kjo ekspozon pamaturinë e vazhdueshme të kryeministrit që çdo gjë është si thotë dhe do ai e se kushdo që mendon ndyshe është i paditur. 

Dhe kjo ndodh jo se Rama nuk e di se çfarë thotë kushtetuta, por se ashtu do ai të jetë, të gjendet një artificë që të justifikojë atë që do ai, si e do dhe në atë moment që e do ai. Dhe kështu detyron dhe presidentin, pra jo Bajramin se Bajrami ska nevojë të detyrohet se e di vetë detyrën që duhet të bëjë sapo ka marrë atë mandat dhe këshilltarët e tij përfshirë dhe ata në qeveri, të shkelin mbi veten dhe dinjitetin e tyre profesional dhe të hartojnë akte që i ekspozojnë në shkelje të ligjit dhe kushtetutës.  

Tani Kryeministri Rama duhet të sqarojë: 

A vazhdon t’i qëndrojë ende deklaratës së tij për “padijen dhe mungesën e pavarësisë intelektuale” kur edhe Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht si të paditurit e tjerë që e kundërshtuan këtë marrëzi të presidentit shërbëtor? 

Nëse po, a është i vetëdijshëm që po delegjitimon dhe fyen Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? 

Dhe nëse jo, a ka ndërmend të kërkojë ndjesë publike për fyerjen që i ka bërë një institucioni të pavarur dhe jetik për rendin kushtetues, se kushdo tjetër që mbajti qëndim të kundërt me kryeministrin as mos ta mendojë opsionin e ndjesës se nuk ekziston në sjelljen e Ramës përveç rasteve kur duhet për skenar teatral me efekt publik, politik apo elektoral? 

Dhe së fundi si pyetje a duhet të vazhdojë fushata elektorale kur zgjedhje nuk mund të ketë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?  

Fyerja ndaj një individi është çështje morali. Fyerja dhe mospërfillja ndaj një institucioni është çështje shteti.Në këtë rast, heshtja nuk është më opsion ndaj duhet ose ndjesë, ose konfirmim për përçmimin e shtetit, institucioneve dhe Kushtetutës. Të tjerët që ishin kundër mjaftohen dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ruajti dhe dinjitetin e saj dhe të tyre!