Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me vizitën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Berisha e ka cilësuar këtë vizitë si të rëndësishme dhe ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.
Megjithatë, Berisha u shpreh kritik ndaj qeverisë, duke theksuar se Shqipëria aktualisht nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrim përveç atij gjeostrategjik dhe politikës së jashtme.
“PD thekson se vetëm një proces integrimi i bazuar në meritën, funksionimin e shtetit ligjor, zgjedhjet e lira dhe ekonominë e tregut të lirë është interesi më i mirë i shqiptarëve.
Në këtë kuadër theksojmë se për PD, Shqipëria aktualisht, përveç kriterit gjeostrategjik dhe politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE.
Në qoftë se i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësish natyrore apo shkaqe të tjera.
Gjatë qeverisjes së Edi Ramës u larguan nga Shqipëria vetëm në hapësirën evropiane 1 milion e 99 mijë qytetarë të këtij vendi.”, tha Berisha ne konference me gazetaret.