Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Sipas demokratëve, Komisioni kërkohet që të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin Charles McGonigal; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, korrektësisë dhe ndershmërisë në raportet e zyrtarëve shqiptar me zyrtarët e huaj.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me një afat veprimtarie prej 6 muajsh.
Grupi i PD shprehet se sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.
Kërkesa e PD:
KËRKUES: Jo më pak se 35 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se ¼ e deputetëve të Kuvendit).
OBJEKTI: Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
BAZA LIGJORE: Neni 77 i Kushtetutës së Shqipërisë;
Neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;
Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, i ndryshuar.
DREJTUAR: Z. Niko PELESHI
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Zoti Kryetar i Kuvendit,
Në datën 15.09.2022, zyra e prokurorit pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias dorëzoi një akt-padi, lidhur me çështjen penale Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Charles F. McGonigal, ndaj të cilit rëndonin akuzat penale për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme, falsifikime dokumentesh apo të dhënash.
Në përmbajtje të kësaj padie, citohen disa veprimtari të kryera nga zyrtarë shqiptarë, përfshirë Z. Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, Z. Agron Neza [identifikuar si personi A], ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit dhe Z. Dorian Duçka [identifikuar si personi B], ish-zyrtar i lartë dhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit Rama.
Konkretisht, Z. McGonigal ishte një agjent special i FBI-së, me detyrë ish-shef i divizionit të kundërzbulimit, për zyrën e FBI-së në Neë York. Ai ishte përgjegjës për çështjet e kundërzbulimit dhe sigurisë kombëtare, duke përfshirë shtetet evropiane si Shqipëria dhe Bosnia-Hercegovina (shih akt-padinë USA v. Ch.F.McGonigal, §2).
Z. Agron Neza, është një qytetar i naturalizuar amerikan, i lindur në Shqipëri dhe jeton në Neë Yersey. Ai ka qenë punonjës i ish-Sigurimit të Shtetit, disa dekada më herët. Ky shtetas është pronar i një kompanie, të regjistruar në Delaëare ((ibid, §6-7). Z. Dorian Duçka, është një shtetas shqiptar, i punësuar nga një kompani energjetike kineze. Ai vepron si këshilltar informal i kryemistrit të Shqipërisë, duke mbajtur një adresë qeveritare email-i dhe një pasaportë diplomatike. Z. Neza dhe Z. Duçka janë miq dhe kanë bashkëpunuar në marrëdhënie biznesi (ibid, §8).
Z. McGonigal dhe Z. Neza kishin një marrëdhënie me njëri-tjetrin, e cila përfshinte dhënien e 225.000 (dyqind e njëzet e pesë mijë) dollarëve amerikanë, udhëtime në Evropë, prezantimi nga Z. Neza të personave të njohur dhe bashkëpunëtorëve të tij. Këto marrëdhënie nuk u raportuan asnjëherë nga Z. McGonigal, me qëllim fshehjen e tyre nga autoritetet amerikane dhe publiku, duke krijuar kështu një situatë të konfliktit të interesit aktual dhe në dukje, ndërmjet detyrave zyrtare dhe interesave private financiare (ibid, §12-13).
Z. McGonigal u angazhua në një marrëdhënie financiare private me Z. Neza, që aktualisht dhe haptazi binte në kundërshtim me detyrën e tij si zyrtar i FBI-së. Për shembull, ndër të tjera, Z. McGonigal bëri që zyra e FBI-së në Neë York të hapte një hetim penal ndaj një shtetasi amerikan, duke shërbyer Z. Neza si burim njerëzor konfidencial, si dhe u përpoq që të organizonte një takim ndërmjet qytetarëve C dhe D me autoritetet amerikane, që do t’i sillte përfitime financiare Z. Neza, duke fshehur gjatë gjithë kësaj kohe marrjen e 225.000 dollarëve nga Z. Neza (ibid, §17).
Në datën 7 Shtator 2017, Z. McGonigal udhëtoi me Z. Neza nga SHBA-të në Shqipëri, ku përgjatë disa ditëve janë takuar me Z. Duçka dhe me shtetas të tjerë të huaj. Shpenzimet e qëndrimit dhe akomodimit në Shqipëri nuk u paguan as nga Z. McGonigal dhe as zyra e FBI-së (ibid, §21). Në 9 Shtator 2017, në Shqipëri, Z. McGonigal u takua personalisht me Z. Duçka dhe kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama. Me kërkesë të Z. Neza, Z. McGonigal nxiti kryeministrin e Shqipërisë të ishte i kujdesshëm në dhënien e licencave për nxerrjen e naftës në Shqipëri të kompanive ruse. Z. Neza dhe Z. Duçka kishin një interes të drejtpërdrejtë financiar në vendimet e qeverisë shqiptare për dhënien e licencave të nxjerrjes së naftës (ibid, §22).
Pas udhëtimit të zhvilluar në muajin Shtator në Shqipëri, Z. McGonigal mbajti marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë. Në datën 5 Tetor 2017, jashtë një restoranti, në një vendparkim në qytetin e Neë York-ut, Z. McGonigal mori 80.000 dollarë cash nga Z. Neza. Në vjeshtën e vitit 2017, në rezidencën private të Z. Neza në Neë Yersey, Z. McGonigal mori shumat 80.000 dollarë dhe 65.000 dollarë. Në deklarimet e bëra në datën 16 Tetor 2017, Z. McGonigal fshehu faktin se kishte takuar kryeministrin shqiptar (ibid, §26-28).
Në 19 Nëntor 2017, Z. McGonigal dhe Z. Duçka u takuan për darkë me njëri-tjetrin. Në datën 20 Nëntor 2017, Z. McGonigal zhvilloi një takim me kryeministrin e Shqipërisë (ibid, §33-24). Në datën 25 Nëntor 2017, Z. McGonigal informoi prokurorin e Departamentit të Drejtësisë mbi një hetim penal potencial, i cili përfshinte një qytetar amerikan, të regjistruar për të kryer detyra lobimi për një parti politike shqiptare, të ndryshme nga partia ku kryeministri ishte anëtar. Një ditë më herët, ai [Z. McGonigal] kishte marrë informacione nga Z. Duçka për lobistin amerikan (ibid, §36).
Në Dhjetor 2017, McGonigal darkoi në Ëashington me Z. Neza dhe me zyrtarë të qeverisë shqiptare, dhe kohë më pas darkoi me Z. Neza dhe kryeministrin e Shqipërisë. Në 4 Janar 2018, Z. McGonigal mori informacione nga Z. Neza lidhur me lobistin amerikan, dhe ia përcolli informacionet një agjenti special të FBI në zyrën e Neë York-ut. Në deklarimet e bëra për udhëtimet e tij në Nëntor 2017, Z. McGonigal fshehu faktin se ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë (ibid, §37-39].
Në 22 Janar 2018, Z. McGonigal mori informacion nga Z. Neza për lobistin amerikan, të cilat ia përcolli një zyrtari të FBI-së në Neë York, i cili ishte një vartës i tij [Z. McGonigal]. Z. Neza e mori informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Nga data 21 deri në 24 Shkurt 2018, Z. McGonigal udhëtoi me Z. Neza drejt Shqipërisë, por ai nuk e raportoi këtë udhëtim, siç kërkohej (ibid, §40-41). Në datën 26 Shkurt 2018, zyra e FBI-së në Neë York hapi një hetim penal lidhur me lobistin amerikan, me kërkesë të Z. McGonigal dhe sipas udhëzimeve të tij. Z. Neza u identifikua si burim njerëzor konfidencial i FBI-së dhe gjatë hetimeve, ai ofroi të dhëna dhe informacione. Ai po ashtu lehtësoi zhvillimin e takimeve ndërmjet FBI-së dhe dëshmitarëve të Evropë, duke paguar shpenzimet e udhëtimeve të dëshmitarëve (ibid, §42).
Në 4 Mars 2018, Z. McGonigal darkoi në Ëashington, me, ndër të tjerë, Z. Neza, kryeministrin e Shqipërisë, dhe një ish-agjent special të FBI-së, i cili punonte në një firmë ndërkombëtare shërbimesh profesionale (ibid, §43). Në të gjitha deklarimet e bëra nga Z. McGonigal, ai ka mohuar të ketë përfituar shumën 225.000 dollarë nga Z. Neza, dhe që të ketë zhvilluar takime apo të ketë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Z. Neza, Z. Duçka dhe Z. Rama.
Faktet dhe të dhënat e mësipërme provojnë qartazi se Z. Edi Rama, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, është përfshirë në veprimtari të dyshimta, të cilat kishin për qëllim: (i) të dëmtonin interesat e partisë kryesore opozitare [Partisë Demokratike të Shqipërisë], nëpërmjet fillimit të një hetim penal ndaj lobistit amerikan të angazhuar për kryerjen e veprimtarive të tij; dhe (ii) krijimit të favoreve të parregullta dhe të dyshimta për shtetasin Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, veçanërisht në dhënien e licencave në industrinë e naftës.
Për realizimin e këtyre qëllimeve, janë kryer një sërë takimesh në periudhën 2017 – 2018 nga Z. Edi Rama me shtetasit McGonigal, Neza dhe Duçka, janë vënë në dispozicion dokumente dhe informacione nga zyra e kryeministrit, janë ofruar para në shumën 225.000 dollarë, si dhe janë paguar shpenzime udhëtimi, akomodimi për shtetasin amerikan McGonigal dhe dëshmitarët për të ndihmuar hetimin penal ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike.
Ndërkohë, lidhur me licencat në industrinë e naftës, sipas të dhënave të publikuara në media , rezulton se shtetasi Charles McGonigal është administrator dhe ortak me 25% i një kompanie shqiptare, të quajtur “Laë Office and Investigation”, aktualisht me aktivitet të pezulluar. Kjo kompani është themeluar në vitin 2008, nga Shefqet Dizdari, me profesion avokat, i cili në vitin 2019, i ka shitur aksionet e tij shtetasve Charles McGonigal, Agron Neza dhe Mark Thomas Rossini.
Për të kuptuar interesin e treguar nga shtetasit Agron Neza dhe Dorian Duçka për licencat për nxjerrjen e naftës, duhet t’i referohemi aktivitetit të shtetasit Shefqet Dizdari, i cili rezulton të jetë administratori i shoqërisë “Transoil Group AG”, aktualisht Terraoil Sëiss sh.a. Kjo kompani rezulton që në vitin 2018 të jetë shpallur fituese për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë.
Sipas një vendimi të Gjykatës Administrative Vlorë, nr. 781, datë 27.06.2019, përzgjedhja e kësaj kompanie u krye nën favorizim dhe shkelje të barazisë në tendera nga ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe Albpetrol sh.a., duke rrezikuar t’i shkaktojë vendit një dëm në vlerën 300 milionë dollarë. Sipas një investigimi të kryer nga BIRN, kjo kompani ishte e lidhur me kompaninë ruse Gazprom dhe atë serbe NIS. Të dhënat e mësipërme tregojnë qartazi se ndihma e ofruar nga shtetasit Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka që kryeministri Edi Rama të dëmtonte kundërshtarët politikë nëpërmjet një hetimi penal të filluar në SHBA, është shpërblyer nëpërmjet dhënies së një koncesioni për fushat naftëmbajtëse në jugun e vendit në shkelje të ligjit.
Pas publikimit fillestar të këtyre informacioneve, në mediat shqiptare dhe ato amerikane janë publikuar fakte dhe të dhëna të reja. Konkretisht, siç shpjeguam më lart, interesat ekonomike të shtetasve Agron Neza dhe Dorian Duçka duket të jenë materializuar nëpërmjet kompanisë TransOil Group sh.a. (sot TerraOil Sëiss sh.a.), e cila fitoi koncesionin për tre fusha naftëmbajtëse në jug të vendit (Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë). Kjo kompani rezultonte me borxhe ndaj kompanisë shtetërore Albpetrol në masën 7 mijë ton naftë ose 2.5 milionë dollarë, si dhe detyrime të prapambetura në vlerën 700 mijë dollarë. Më herët, kompania shtetërore Albpetrol i kishte hequr licencën kompanisë Phoenix për shkak të një borxhi në shumën 100 mijë dollarë, ndërkohë që në rastin e kompanisë TransOil Group sh.a., i jep të drejtën e shfrytëzimit të tre fushave të tjera naftëmbajtëse.
Për t’i hapur rrugë këtij koncesioni, rezulton se ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri kishte urdhëruar që shoqërisë GBC Oil Company Ltd, përfaqësuar nga dega e saj në Shqipëri, Transatlantic Albania, t’i hiqeshin dy vendburimet e naftës Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj. Lidhur me këtë vendimmarrje, shoqëria GBC Oil i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila në Korrik 2020 ka vendosur detyrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Agjencinsë Kombëtare të Burimeve Natyrore të shpërblejnë dëmin e shkaktuar në shumën 12.5 milionë dollarë dhe rreth 300 mijë euro kosto arbitrazhi. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit është njohur dhe dhënë fuqi ligjore nga Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 49, datë 04.05.2021.
Gjatë seancës për pranimin e fajësisë të zhvilluar në Shtator 2023, shtetasi McGonigal ka pranuar se ai duke shfrytëzuar miqësitë e tij me shtetasit Neza, Duçka dhe kryeministrin Rama, ka pasur për synim që të përgatiste terrenin për mundësitë e biznesit në Shqipëri, pas largimit nga FBI. “Para se të largohesha nga FBI në Shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence sigurie me një mik. E dija që kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur nisa më vonë biznesin”, tha ai në gjykatë, duke iu referuar kontakteve me qeverinë shqiptare. Shtetasi McGonigal ka pohuar mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me kryeministrin Rama.
Ky i fundit dukej se kishte një interes direkt ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, fillimin e një hetimi penal ndaj lobistit amerikan që bashkëpunonte me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Faktet e përmendura në akt-padi dhe të cituara më lart nga ana jonë, provojnë se ndërhyrja e shtetasit McGonigal kishte mundësuar hapjen e një hetimi penal në Shtetet e Bashkuara ndaj lobistit të PDSH-së, ashtu siç edhe hapjen e një çështje penale nga Prokuroria e Tiranës, me kallëzues shtetasin Taulant Balla, me detyrë asokohe Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.
Faktet lidhur me shtetasin amerikan McGonigal sa i përket njohjeve dhe takimeve të tij me kryeminstrin Edi Rama, shkëmbimi i informacioneve nga burimet e FBI-së, marrja e përfitimeve monetare, interesimi për fushat naftëmbajtëse në Shqipëri, konfirmohen edhe nga një sërë intervistash mediatike të bëra nga shtetasja amerikane Allison Guerriero, asokohe partnerja e Charles McGonigal.
Duke iu referuar të njëjtave burimeve mediatike, rezulton se në aktivitetin e zhvilluar në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara, të shtetasit Charles McGonigal është i përfshirë edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi Erion Veliaj. Ky i fundit thuhet të ketë zhvilluar disa takime me shtetasin McGonigal, madje edhe i ka paguar një shumë prej 8 milionë euro, me qëllim që një pronar mediash shqiptare, me të cilin Veliaj kishte konflikte të vazhdueshme, të shpallej non-grata në Shtetet e Bashkuara. Në artikuj të ndryshëm mediatikë, kryesisht media amerikane, përmenden edhe emra biznesmenësh të tjerë, të cilëve iu janë përvetësuar shuma të mëdha, duke i kërcënuar me shpalljen non-grata nga SHBA.
Më tej, nga të dhënat e publikuara nga Zëri i Amerikës lidhur me çështjen McGonigal rezulton se vetë zyrtarët e FBI-së në Neë York kishin ngritur pikëpyetje lidhur me kërkesën e agjentit Charles McGonigal për hetimin e lobistit amerikan Nick Muzin. Konkretisht, në një letër të datës 16 Mars 2018, e cila është bërë publike, zyrtari i FBI-së që e shkruan, pyet se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?”.
Po ashtu, bashkëlidhur kësaj letre ishte edhe vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 Korrik 2019, pas daljes në pension të Z. McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimin se…ka kryer aktivitet kriminal ndërsa përfaqësonte një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentacionin e duhur për FARA-n në Departamentin e Drejtësisë”. Në këtë vendim përmendet shprehimisht Partia Demokratike e Shqipërisë.
Në datën 20 Shtator 2023, Charles McGonigal nënshkroi një marrëveshje me zyrën e prokurorit të Distriktit të Kolumbias, ku ai pranoi fajësinë lidhur me të gjitha akt-akuzat, të cilat përfshinin, ndër të tjera, vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeministrin Edi Rama dhe “mbajtjen e një marrëdhënie të vazhdueshme me të”, dhe zotin Duçka, si dhe faktin se ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë…për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të lobizëm për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama.”.
Në datën 5 Janar 2024, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan Gjykatës një memorandum, ku kërkonin 30 muaj burg dhe 95 mijë dollarë gjobë për Charles McGonigal për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”. Në dokument shpjegohet se zoti McGonigal jo vetëm nuk deklaroi marrjen e parave, por avancoi interesat e biznesit të zotit Neza dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private. “Kjo përbën në thelb korrupsion dhe minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, citohet shprehimisht në memorandumin e prokurorëve.
Në datën 16 Shkurt 2023, Gjykata Federale e Ëashington-it dënoi ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shtetasi Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Në shpalljen e vendimit, gjyqtarja e cështjes Colleen Kollar-Kotelly tha se fakti që McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze” dhe se mesa duket në fund të karrierës së tij, McGonigal kishte humbur “kompasin moral”.
Në datën 05.09.2025, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka bërë publike një përmbledhje të hetimeve në lidhjen me çështjen McGonigal, nga ku rezultojnë edhe të dhëna shtesë për marrëdhëniet e ish-agjentit special të FBI-së me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Me interes të veçantë duket të jetë një footnote në faqen 7 të këtij dokumenti, në të cilin thuhet: “Në 9 shtator 2017, McGonigal i dërgoi një foto të vetes dhe kryeministrit [Edi Rama] një miku personal dhe i shkroi një tjetër miku personal që Kryeministri po reformonte drejtësinë (në Shqipëri) dhe kjo ofronte plot mundësi”.
Pasur parasysh dokumentet zyrtare të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe publikimet e bëra publike nga burime serioze mediatike, lindin dyshime të arsyeshme sa i përket ligjshmërisë së veprimeve të kryer nga zyrtarë publikë shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI, Charles F. McGonigal.
Pikërisht, me qëllim kontrollin e zbatimit të ligjeve në këto marrëdhënie, verifikimin në thellësi të veprimeve të funksionarëve shqiptar me ish-agjentin McGonigal, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe vlerësimin e nevojës për ndërmarrjen e masave ligjore, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative në të ardhmen, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për Verifikimin e Ligjshmërisë të Veprimeve të Zyrtarëve Shqiptar në Raport me ish-Agjentin Special të FBI-së Charles McGonigal.
Gjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “…institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushteti i pakicës parlamentare”, që realizohet “…në mënyrë të pavarur…” dhe që është “….i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila duke i pasur të kufizuara mjetet në dispozicion, mund ta shndërrojë atë në një instrumet të fuqishëm kushtetues.
Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik dhe shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.
Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për cështje të vecanta, me qëllim arritjen e përfundimeve të caktuara, që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit e të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit.
Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledhë informacione të hollësishme mbi zbatimin e ligjit në marrëdhëniet e funksionarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin Charles McGonigal, njohjen dhe verifikimin në thellësi të veprimeve të kryera nga zyrtarët shqiptarë, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, si dhe vlerësimin e nevojës për miratim, korrigjim, ndryshim të legjislacionit, me qëllim që në të ardhmen të parandalohen pasoja negative që mund të vinë për shtetin dhe palët e treta, nga marrëdhënie të fshehta e të dyshimta që mund të krijojnë zyrtarët shqiptarë me zyrtarë të huaj, jashtë funksioneve të tyre zyrtare.
Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk sjell mbivendosje apo transferime të kompetencave të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në hollësi të të gjitha problematikave që lidhen me marrëdhëniet e zyrtarëve shqiptarë me ish-agjentin Charles F. McGonigal, me qëllim që të kontrollohet ligjshmëria e veprimeve të zyrtarëve shqiptar, të nxirren përgjegjësitë institucionale, si dhe të merren masa të përshtatshme në garantimin e integritetit të marrëdhënieve të zyrtarëve shqiptar me zyrtarët e huaj, pavarësisht nëse ata veprojnë ose jo në cilësitë zyrtare.
E drejta e Komisionit për kryerjen e hetimeve do të realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyra kushtetuese që mbulojnë deputetët, si përfaqësues të popullit dhe zëdhënës të interesit publik, për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. Dobishmëria e këtij hetimi konsiston pikërisht në nxjerrjen e përgjegjësisë institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës. Komisioni do të ushtrojë veprimtarinë e tij në përputhje me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, procesit të rregullt ligjor, prezumimit të pafajësisë, paanshmërisë dhe respektimit të jetës private.
Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e cështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të vecantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen. Në këtë drejtim, cështjet më të shumta kanë patur për objekt administrimin e fondeve publike, marrëdhëniet ndërshtetërore, falimentimet e korporatave apo subjekteve të ndryshme private, të cilët kanë patur një impakt në ekonominë e vendit, apo hetimin e fenomeve kriminale.
Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale për personat që potencialisht mund të kenë kryer shkelje, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqendrojë punën e tij në në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë të veprimeve të kryera nga zyrtarët shqiptarë gjatë zhvillimit të marrëdhënieve me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Nga ana tjetër, mbledhja e informacioneve të detajuara nga burimet relevante synon që në përputhje me realitetin e diktuar nga rrethanat, provat dhe të dhënat në dispozicion, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit apo korrigjimit të ligjeve të veçanta, me qëllimin ofrimin e një mbrojtjeje të plotë ligjore dhe institucionale të parimeve të ligjshmërisë, integritetit dhe ndershmërisë në raportet e zyrtarëve shqiptarë me zyrtarët e huaj.
Përdorimi i petkut dhe funksioneve zyrtare për të krijuar favore dhe përfitime për zyrtarë të huaj, me qëllim që këta të fundit të përdoren për luftë politike të brendshme, është një dëm i madh për reputacionin ndërkombëtar të shtetit shqiptar, si dhe mund të krijojë problematika të caktuara me shtetin e origjinës të zyrtarëve të atillë.
Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tri kriteret kushtetuese si vijon: (i) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat ai është i autorizuar të marrë masa ligjore; (ii) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe (iii) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencën e problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me zotin Charles McGonigal.
Kërkesa për ngritjen e një Komisioni Hetimor për Kontratat Publike në Sektorin e Shëndetësisë, bazohet në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës, i cili parashikon se: “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të vecantë.”, si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon se “1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një së katërtës së të gjithë anëtarëvë të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të vecantë. 2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.”
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, ne, një grup deputetësh, jo më pak se ¼ e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 77, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 25, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit,
KËRKOJMË:
1. Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Verifikimin e Ligjshmërisë së Veprimeve të Zyrtarëve Shqiptar në Raport me ish-Agjentin Special të FBI-së, Charles McGonigal.
2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin Charles McGonigal; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, korrektësisë dhe ndershmërisë në raportet e zyrtarëve shqiptar me zyrtarët e huaj.
3. Komisioni do të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.
5. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.