Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ashpër pas samitit të zhvilluar në Barcelona, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe Alex Soros.
Në një deklaratë publike, Shehu e cilësoi këtë takim si një mbledhje të “së majtës populiste pseudo-progresive”, duke akuzuar pjesëmarrësit për mungesë vizioni dhe ide konkrete për zhvillimin global. Sipas tij, samiti nuk prodhoi asnjë strategji të re apo program të qartë për sfidat ekonomike dhe të sigurisë, por u karakterizua nga retorikë kundër së djathtës.
Ai theksoi se në vend të propozimeve konkrete për uljen e varfërisë, nxitjen e investimeve apo garantimin e paqes dhe stabilitetit, u artikuluan vetëm qëndrime ideologjike dhe, sipas tij, “dogma” që bien ndesh me interesat e shoqërisë dhe familjes tradicionale.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu atë që e quajti një tendencë për të zëvendësuar vlerat tradicionale familjare dhe për të promovuar modele të reja sociale, duke e konsideruar këtë një devijim nga parimet themelore që, sipas tij, garantojnë stabilitetin dhe zhvillimin e shoqërisë.







