Ballina Ekonomia Eurostat, Shqipëria përpara fqinjëve në turizëm e ndërtim, pas në industri, teknologji...

Eurostat, Shqipëria përpara fqinjëve në turizëm e ndërtim, pas në industri, teknologji dhe shëndetësi

30
0

Të dhënat e Eurostat 2023 tregojnë se ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në ndërtim, tregti dhe turizëm, të cilat janë bërë shtyllat kryesore të rritjes ekonomike. Me një vlerë të shtuar prej 48.0 miliardë eurosh, Shqipëria renditet pas Serbisë (54.3 mld €), por shumë përpara Bosnjës (17.2 mld €), Maqedonisë së Veriut (10.8 mld €) dhe Malit të Zi (3.5 mld €).

Industria shqiptare mbetet me 8.1 mld €, shumë më poshtë se Serbia (23.4 mld €), ndërsa ndërtimi arrin 3.3 mld €, duke qenë proporcionalisht një nga sektorët më dinamikë në raport me madhësinë e ekonomisë. Tregtia regjistron 7.5 mld €, afërsisht sa Maqedonia, por shumë më pak se Serbia me 45.1 mld €, ndërsa turizmi spikat si sektori më i suksesshëm me 2.7 mld €, përpara të gjithë fqinjëve ballkanikë. Ky rezultat pasqyron rritjen e ndjeshme të kërkesës për turizëm ndërkombëtar dhe rolin e tij në rritje në strukturën e PBB-së shqiptare, që arrin rreth 26% të saj.

Nga ana tjetër, sektorët me bazë njohurie dhe teknologjie mbeten të pazhvilluar. Sektori i informacionit dhe komunikimit në Shqipëri gjeneron vetëm 0.8 mld €, krahasuar me Serbinë (8.3 mld €), ndërsa shërbimet profesionale dhe teknike janë vetëm 0.4 mld €, përkundrejt 2.8 mld € në Serbi. Në administratë publike, vlera arrin 2.4 mld €, dhe në arsim vetëm 1.6 mld €, shumë më pak se fqinjët rajonalë.

Situata është edhe më e dobët në shëndetësi, ku vlera e shtuar është vetëm 0.2 mld €, krahasuar me 11.7 mld € në Serbi apo 0.9 mld € në Bosnjë. Edhe pse Shqipëria ka potencial të madh kulturor e turistik, vlera ekonomike e sektorit të arteve dhe rekreacionit mbetet minimale (0.04 mld €). Kështu, struktura ekonomike e vitit 2023 paraqet një vend me rritje të qëndrueshme në ndërtim e turizëm, por me nevojë urgjente për diversifikim drejt sektorëve me vlerë të lartë teknologjike, inovacion dhe shërbime profesionale, në mënyrë që të arrijë nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera të Ballkanit.

Po kështu, sipas të dhënave, tregu i punës në Shqipëri dominohet nga sektorët tradicionalë si ndërtimi, tregtia dhe turizmi, që së bashku punësojnë pjesën më të madhe të popullsisë aktive. Me 489.9 mijë persona të punësuar në industri, tregti dhe ndërtim, Shqipëria qëndron pas Serbisë (1.787.3 mijë), por përpara Maqedonisë së Veriut (445.7 mijë) dhe Malit të Zi (175.4 mijë). Sektori i prodhimit numëron 104.7 mijë punonjës, ndërsa ndërtimi 58.2 mijë, duke treguar një ekonomi që ende mbështetet fort te punët me intensitet fizik. Nga ana tjetër, turizmi po shfaqet si një shtyllë e fuqishme me 57 mijë të punësuar, shumë më tepër se Bosnja, Mali i Zi apo Maqedonia, duke konfirmuar rolin qendror të këtij sektori në rritjen e punësimit dhe të ardhurave.

Në të kundërt, sektorët që kërkojnë aftësi të specializuara dhe dije, si informacioni dhe komunikimi (25.5 mijë punësuar), shërbimet profesionale (16.3 mijë), arsimi (11.7 mijë) dhe shëndetësia (16.3 mijë), mbeten ende të pazhvilluar krahasuar me fqinjët ballkanikë. Serbia kryeson dukshëm në këta sektorë me mbi 100 mijë të punësuar në IT dhe 119 mijë në shërbime profesionale, ndërsa Bosnja dhe Maqedonia e kalojnë Shqipërinë në administratë dhe sektorin publik. Kjo tregon se, ndonëse Shqipëria ka bërë përparim në punësimin sezonal dhe në sektorët e konsumit, sfida afatgjatë mbetet kalimi drejt një ekonomie me produktivitet të lartë. /ekofin.al