Nga Klevis Bakillari
Të jemi të sinqertë: s’jemi të sinqertë me Arlind Qorin.
As si shoqëri, as si opinion publik, as si popull që ende kërkon shpëtimin politik diku mes rrënojave dhe fasadës së opozitës së rreme.
Sepse Arlind Qori është i vetmi që po përpiqet të ngrejë një opozitë reale, një alternativë që nuk lind nga pazaret, por nga idetë. Një figurë që flet me mendim e jo me urdhër, që përfaqëson njerëzit e zakonshëm e jo aksionet e oligarkëve. Ne, në vend që ta përkrahim, rrimë dhe e shohim si spektatorë një njeri që përpiqet të zgjojë ndërgjegjen e qytetarëve të lodhur.
Në Shqipërinë tonë, opozita është bërë profesion, jo bindje. Prandaj, kur del dikush që thotë të vërtetën lakuriq, që e përkufizon edhe pushtetin si padrejtësi të institucionalizuar, ne nuk e mbështesim sepse jemi mësuar të jetojmë me gënjeshtra të rehatshme.
Arlind Qori e ka ndërtuar “Lëvizjen Bashkë” si një rrymë që nuk pranon kompromis. Një lëvizje që ‘s’lë dy gurë bashkë’. Dhe kjo është arsyeja pse ‘sistemi’ e urren, por edhe pse shumëkush e injoron sepse është më e lehtë të jesh spektator sesa pjesëmarrës në ndryshim.
E vërteta është e thjeshtë: nëse populli nuk ngrihet të krijojë një pol opozitar real, jashtë partive të vjetra dhe interesave të ngulitura, Shqipëria do të mbetet peng i një loje ku kartat janë të ndara që në fillim. Dhe në atë lojë, populli opozitar është gjithmonë humbësi.
Nëse duam ndershmëri, duhet ta fillojmë me ndershmëri ndaj vetes:
ta pranojmë se sot, në këtë vend, Arlind Qori është opozita e vetme që flet me zë të lirë.
Jo sepse e thotë ai, por sepse s’ka tjetër që guxon ta thotë. Elementë nga partitë e tjera tashmë kanë nisur të bëhen pjesë e atij që unë e kam quajtur ‘fshat politik’, duke u ulur mbi prehërin e PS.
Të jemi të sinqertë pra: s’jemi të sinqertë me Arlind Qorin.
Por do vijë dita që do na duhet të jemi sepse ndryshe, nuk do kemi më asnjë gur për të lëvizur,
në këtë gënjeshtër të vjetër ku “Lëvizja Bashkë” po përpiqet të mos lërë dy gurë bashkë nga gërmadha opozitare!