Ballina Opinion Zegjine dhe Karma Gazo!

Zegjine dhe Karma Gazo!

102
0

Nga Ermal Peci 

Zegjineja është ndoshta e vetmja politikane që arrin të ngatërrohet edhe kur është e bindur se ka të drejtë. Dje, përpara kreut të SPAK-ut, ajo i dha vetes një rol të ri: të flasë për drejtësinë me një lapsus drejtësisht të drejtë. Ishte një çast që e bëri sallën të buzëqeshte dhe publikun të kuptonte se vetëbesimi, kur nuk matet, bëhet më i rrezikshëm se çdo opozitë.

Në Shqipëri, politika përceptohet si arena e marrëveshjes , por jo fjalës dhe Zegjineja e dëshmoi këtë. Ajo nuk tha diçka të gabuar, por e tha keq. Në një vend ku fjalët vlejnë më shumë se veprat, mënyra si e thua është më e rëndësishme se çfarë thua.

Në fushatë, Zegjine Caushi ishte si një valë rrjeti që përplasi Gazment Bardhin në breg, pa e kuptuar as vetë se çfarë ndodhi. Ajo e mundi jo me argument, por me story, jo me ide, por me tallje, jo me program, por me postime. Kjo funksionoi, sepse Bardhi është ndoshta politikani më me fat në historinë e njerëzimit: ka bërë një karrierë të tërë pa fituar asnjë garë.

Të gjithë moshatarët e tij në PD kanë bërë nga një betejë: Belindi, Salianji, Besarti, madje edhe Klevisi të paktën kanë luftuar. Vetëm Bardhi ia doli të ishte njëkohësisht i preferuari i Bashës dhe i Berishës, një mrekulli politike që nuk ndodh shpesh. Me pak fjalë, një karrierë e falur, si një dhuratë që askush s’e ka kërkuar.

Por tani që Bardhin e ka në Parlament, Zegjineja ka një sfidë më të madhe: të mos bëhet vetë si ai. Të mos bëhet meme se në fakt të dyve ju është dhuruar mandati.

Zegjineja po përjeton tani atë që s’e kishte menduar kurrë, që do të ishte në sallën e Parlamentit dhe kamerat do të fokusonin vetëm këtë vajzë që u bë kryefjala e Tiranës. Ajo flet me guxim, por shpesh harron se fjalët janë si pushka: duhen qëlluar me kujdes, përndryshe të vrasin nga mbrapa.

Dje, kur pas gafës iu drejtua opozitës me “çfarë ka për të qeshur?”, çdo gjë u kthye në meme. Në politikë, lapsusi nuk është më gabim, është metaforë. Ai tregon çfarë mendon në të vërtetë, përpara se ta kontrollojë mendja dhe ndoshta për këtë arsye, gafat janë më të sinqerta se fjalimet.

Zegjineja që dje u ngatërrua përpara Dumanit, ndoshta nuk u rrëzua në fjalë, por në vetëbesim. Vetbesimi është rreziku i saj i vërtetë: të besojë se është më e madhe se fjalët që thotë. Por fjalët janë gjithmonë më të mëdha. Nëse nuk i kontrollon, të kontrollojnë. Nëse s’i kupton, të zbulojnë.

Prandaj, Zegjine, mos përfundo si Gazo. Mos lejo që interneti që të ngriti, të të përpijë. Mos u kthe në një kujtim dixhital me titra poshtë: “gafa e ditës.” Historia politike është e pamëshirshme me ata që e marrin me të qeshur.
Më e keqja është kjo: kur njerëzit nisin të qeshin me ty, nuk të dëgjojnë më.

Këtë që ia bëre Gazit, mos ia bëj vetes. A t’u bëfsha, se të kemi prej anëve tona.