Kryetarja e Forumit të Gruas së PS-së në këtë bashki, Suzana Pasha Hoti, ka regjistruar Komitetin Nismëtar për të kandiduar si e pavarur në zgjedhjet e ardhshme.
Regjistrimi është kryer ditën e djeshme në KZAZ-në e Matit, ku, sipas burimeve, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë tentuar ta pengojnë atë që të hyjë në garë si kandidate e pavarur, duke refuzuar të japin miratimin e tyre në procesin e votimit për Komitetin Nismëtar.
Megjithatë, falë shumicës së anëtarëve të opozitës në këtë KZAZ, dhe veçanërisht votave të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, regjistrimi u bë i mundur, duke i dhënë Pasha Hotit të drejtën për të vijuar me kandidaturën e saj jashtë strukturave të PS-së.
Shkak i këtij vendimi, sipas saj, është pakënaqësia me kandidatin zyrtar të PS-së, Altin Bojni, i cili është propozuar për të përfaqësuar socialistët në këtë bashki.