Ballina Sport Selektori i Anglisë paralajmëron rotacion përballë Serbisë dhe Shqipërisë

Selektori i Anglisë paralajmëron rotacion përballë Serbisë dhe Shqipërisë

31
0

Komisari teknik i Anglisë ka lënë të kuptohet se në dy takimet e fundit në Grupin K, “Tre Luanët” mund të mos zbresin në fushë me formacionin e tyre më të mirë.

Siç dihet Anglia është e vetmja skuadër, e cila ka prerë një biletë në Botërorin e 2026-ës ndërsa në program ka edhe dy takime, të cilat mund të vendosin shumë sa i përket vendit të dytë.

Më 13 nëntor Anglia pret Serbinë në “Wembley” ndërsa tre ditë më vonë do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të zhvilluar edhe ndeshjen e fundit në grup përballë kuqezinjve të Sylvinho-s.

Për takimet në fjalë komisari teknik gjerman është vendosur nën presion prej shtypit britanik pasi në grumbullimin e fundit munguan emra me peshë siç ishte ai i Jude Bellingham.

I pyetur mbi grumbullimet e fundit që do të bëjë për këtë vit, Thomas Tuchel, i vetëdijshëm se nuk ka shumë kohë për tu menduar, tregoi se do t’i bënte në bazë të një kodi sjelljeje, i cili ishte i panegociueshëm.

“Lojtarët që do të grumbullohen duhet që të jenë shembull në fushë dhe jashtë saj. Ju them që sot se asnjë nuk do të grumbullohet nëse nuk ka sjellje korrekte jashtë fushe dhe nuk impenjohet në maksimum në stërvitje dhe gjatë takimeve zyrtare”, tha Tuchel.

I pyetur për detaje rreth listës të lojtarëve për ndeshjet e nëntorit, tekniku gjerman tha: “Mendoj se në dy takimet e fundit do të kenë minuta lojtarët, të cilët kanë qenë më pak të pranishëm në fushë gjatë këtyre Eliminatoreve. Them se edhe kemi nevojë për të provuar disa lojtarë të ri”