Autori i dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, më 27 shtator në Salari të Tepelenës, shtetasi Kamber Sulçaj, ka dalë sot, 18 tetor, para togave të zeza në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Ambientet e gjykatës u rrethuan nën masa të rrepta sigurie. Pas më shumë se 1 ore seancë gjyqësore, vrasësi i Sarchit është lënë në burg pa afat.
Mësohet se autori i vrasjes ka qëndruar në heshtje gjatë seancës, ndërsa avokati i tij ka paralajmëruar se do ta apelojë çështjen në Tiranë. Kujtojmë se ai u vetëdorëzua në Polici më 16 tetor.
Gjithçka nisi për dritat e makinës
Makina tip fuoristradë me të cilën po udhëtonte G.B dhe miqtë e tij kishte fenerë në pjesën e përparme, ndërsa autori ishte me kamionçinë me drita të gjata, me të cilën do të transportonte një depozitë për te stani i tij.
“Pse i ndeze dritat?!” – Ishte kjo pyetja që ka ndezur debatin mes palëve.
Njëri nga miqtë e G.B-së, ka dalë nga makina dhe ka ofenduar autorin. Në këtë moment, autori i është prezantuar me emër duke i treguar se vinte nga Vlora dhe është treguar i palëkundur.
Më pas është larguar… Pas 10 minutash, automjetit të katër personave i ka mbaruar karburanti në një kodër. Kështu, G.B ka telefonuar babanë e tij, E.B. Ky i fundit ka shkuar bashkë me italianin për t’iu ardhur në ndihmë.
Gjatë kësaj kohe, autori ka shkuar për të marrë armën e gjatë, që përdoret për gjuetinë e kafshëve të egra. E ka bërë gati dhe është rikthyer në vendin ku kishte ndodhur debati.
Është afruar te makina e të rinjve, por nuk i ka gjetur aty, pasi ata kanë qenë rreth 100 metra më tutje.
48 vjeçari ka filluar të qëllojë në ajër duke i sharë dhe duke kërkuar një sqarim. Nuk ka zgjatur shumë dhe ai ka vijuar të qëllojë nga 100 metra distancë, në drejtim të tyre.
Të shtëna që kanë zgjatur rreth 20 minuta.
Momenti fatal ka qenë kur ai ka hapur zjarr ndaj “Range Roverit”, fishekët kanë kapur gomat nga krahu i pasagjerit, në përpjekje për të hyrë në fuoristradë, biznesmeni italian është dëmtuar në kofshë, që i ka shkaktuar gjakderdhje dhe vdekje të menjëhershme, sepse i ka prekur arterien kryesore.







