Ballina Bota Pamje shqetësuese para hyrjes së banesës, tre persona të maskuar kërcënojnë me...

Pamje shqetësuese para hyrjes së banesës, tre persona të maskuar kërcënojnë me vdekje një grua dhe fëmijët e saj

50
0

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Alexandria, afër Washington D.C., duke ngjallur frikën se fenomeni i rrezikshëm i njohur si “Killer Clown” mund të jetë rikthyer në SHBA.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së martës, kur tre persona të maskuar si personazhe horror – përfshirë një kloun, një murgeshë të frikshme dhe vrasësin Michael Myers nga filmi “Halloween” – trokitën me forcë në derën e një shtëpie ku ndodheshin një nënë e ve dhe fëmijët e saj.

Pamjet nga kamera e derës (doorbell cam) tregojnë personat duke bërtitur dhe kërcënuar se do të hynin me forcë: “Hap derën, ose do të hyjmë ne brenda. Do t’ju vrasim.” – dëgjohet të thotë njëri prej tyre.

E bija e zonjës, Shayla, tregoi për mediat lokale se në fillim e kishte marrë si një shaka për Halloween, por situata shpejt u kthye në terror.

“Në fillim thashë, ‘Gëzuar Halloween’, por ata nuk po largoheshin. Madje sa vinin e trokitnin më fort. Kur thanë se do të përdornin një karrige për të thyer derën, më ra zemra.”

Pasi nuk mundën të hyjnë nga dera kryesore, autorët thyen gardhin prej druri, prenë rrjetat mbrojtëse të verandës dhe filluan të godasin dritaret, duke tentuar të hyjnë brenda shtëpisë, ndërsa vazhdonin kërcënimet.

Ngjarja zgjati rreth 10 minuta, derisa të maskuarit u larguan. Asnjë arrestim nuk është kryer deri tani.

Shefi i Policisë së Alexandrias, Tarrick McGuire, tha në një konferencë për shtyp se ngjarja po trajtohet si shumë serioze.

“Nën ligjin e shtetit Virginia, kjo ngjarje klasifikohet si tentativë për grabitje me dhunë. Ata kërcënuan për vdekje një familje në banesën e tyre. Kjo nuk është lojë.”

Autoritetet janë në kërkim të autorëve përmes pamjeve të tjera të kamerave të sigurisë dhe kanë paralajmëruar se personat mund të përballen me akuza për grabitje me dhunë dhe kërcënime të rënda.

Kjo ngjarje ngjason me fenomenin e frikshëm të vitit 2016, i njohur si “killer clown craze”, ku persona të maskuar si klounë përhapën panik në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke sulmuar qytetarë në rrugë, jashtë shkollave dhe madje edhe duke hyrë në biznese me armë të rreme.

Komentues në rrjetet sociale e krahasuan ngjarjen me filmin “The Purge”, ku personazhe të maskuar sulmojnë njerëz në shtëpitë e tyre.

“Kjo nuk është më një shaka për klikime. Nëse dikush do t’i qëllonte me armë, do të ishte e kuptueshme,” shkruan një përdorues në X (ish-Twitter).