Ballina Kulturë Alma Lama: Filmi “Era” – një kryevepër e kinematografisë shqiptare

Alma Lama: Filmi “Era” – një kryevepër e kinematografisë shqiptare

26
0

Publicistja dhe ish-deputetja Alma Lama ka vlerësuar lart filmin “Era” të regjisores dhe skenaristes Parta Kelmendi, duke e cilësuar si një kryevepër të kinematografisë shqiptare.

Në një shkrim të saj, Lama e përshkruan filmin si një vepër rrënqethëse që ndërthur realizmin e ashpër të përvojës kosovare nën represionin serb me thellësinë ekzistenciale të veprave të autorëve si Kafka dhe Remarque.

Shkrimi:

Filmi “Era” – një kryevepër e kinematografisë shqiptare

Mes zymtësisë kafkiane dhe zhgënjimit të romaneve të Remarkut, “Era” krijon një atmosferë që të kujton periudhën e pasigurisë dhe ankthit ndërmjet dy luftërave botërore.

Duke parë filmin “Era” të regjisores dhe skenaristes Parta Kelmendi, ndjeva veten të zhytur në botën e veprave të këtyre dy shkrimtarëve. Një film tejet realist, jo vetëm për ata që kanë përjetuar represionin serb në Kosovë, por edhe për ne që nuk e kemi jetuar atë periudhë drejtpërdrejt. Ishte rrënqethës. Ishte kafkian. Historia rrëfehet përmes personazhit kryesor, Era – një adoleshente e cila brenda një nate humb gjithçka. Por ajo nuk pranon të bëhet viktimë. Nuk dorëzohet. Lufton deri në fund për dinjitetin e saj.

Era sfidon një realitet të zymtë e të pashpresë, të shprehur përmes dialogjeve të kursyera por goditëse, dhe aksioneve të pakta që zbulojnë brutalitetin e regjimit serb. Filmi ngre pyetje ekzistenciale, por në të ka shpresë, ka mosnënshtrim.

Nga aspekti estetik, filmi është i realizuar me mjeshtëri. Fotografia, ku mbizotëron nata, simbolizon errësirën që ra mbi Kosovë në vitin 1989 dhe vazhdoi gjatë viteve ’90. Drama zhvillohet në disa dimensione: marrëdhëniet ndëretnike të shkatërruara nga politika, përmes historisë së dashurisë me Besimin – fëmijë i një shqiptari dhe një serbe – që përballet me zgjedhje të dhimbshme; konflikti i thelluar mes fëmijës dhe prindit në rrethana të jashtëzakonshme; kontrasti mes traditës dhe modernes, i pasqyruar përmes jetës në fshat dhe qytet; mbyllja e shkollave dhe mbijetesa e shqiptarëve; emigrimi dhe pasojat e tij në martesat dhe familjet e shkatërruara; drama e një babai që vuan pamundësinë për të mbrojtur vajzën e tij.

Performanca e Zana Berishës në rolin kryesor është brilante. Filmi përmban edhe momente humori të mprehtë, që herë pas here e zbusin tensionin e dramës së vazhdueshme. Fundi vjen përmes ëndrrës së Erës – dëshira për t’u zgjuar vetëm pasi ky realitet i dhimbshëm dhe tragjedia e luftës që duket në horizont të kenë marrë fund.

Ky është një film që duhet parë nga të gjithë. Edhe pse drama zhvillohet në Kosovë, mesazhet e tij janë universale.