Legjenda e futbollit anglez Paul Gascoigne (58), ka pranuar hapur se ka luftuar me varësinë nga alkooli gjatë gjithë jetës dhe paralajmëroi se nuk do të ndalet asnjëherë.
Në një intervistë të re dhe në librin e tij “Eight” (8), ai flet hapur për luftën e tij dhe shëndetin mendor që e ka ndjekur për më shumë se 20 vjet që nga dalja në pension, raporton KosovaPress.
“Nuk dehem sepse urrej nënën dhe babin tim ose e urrej publikun. Nuk ka të bëjë me këtë. E bëj sepse duhet”, tha Gascoigne.
Ai shtoi se jeton për “sot” dhe se nuk mendon për dje ose nesër: “Unë mendoj vetëm për sot dhe jetoj për sot”.
“Nuk kam ndryshuar, nuk mund të ndryshoj, nuk do të dija si të ndryshoja. Ndoshta do të vdes si Gazza. Por nuk kam asgjë për të fshehur. I gjithë vendi e di tani çfarë kam bërë.” Ai foli hapur për rikthimet e tij në varësi, se si mund të ketë humor të keq dhe të ndihet i mjerë, por “personi që lëndon më shumë je vetja jote”.
Gascoigne ka përshkruar sa e vështirë është të përballojë varësinë e tij, por pavarësisht kësaj, ai vazhdon të luftojë dhe nuk është tërhequr nga sytë e publikut.
“Nuk mendoj se do të dorëzohem derisa të jem në një kuti druri. Përveç kësaj, do të vazhdoj të luftoj“, përfundoi futbollisti i famshëm.
Paul Gascoigne ishte një nga futbollistët më të talentuar dhe të dashur anglezë të gjeneratës së tij, i njohur me nofkën Gazza. Ai luajti si mesfushor gjatë gjithë karrierës së tij, duke arritur kulmin në vitin 1990 kur ishte një lojtar kyç për ekipin e Anglisë në Kupën e Botës, duke arritur në gjysmëfinale.
Ai luajti 57 herë për ekipin kombëtar të Anglisë, duke shënuar 10 gola. Përveç Anglisë, ai luajti për klube të tilla si Newcastle United, Tottenham Hotspur, Lazio, Rangers, Middlesbrough dhe Everton. Gjatë karrierës së tij, ai fitoi disa trofe, përfshirë Kupën FA me Tottenham dhe titujt skocezë me Rangers.