Maratona e Tiranës, e promovuar nga Bashkia si një festë sportive dhe simbol i jetesës së shëndetshme, u kthye sot në një ditë kaosi për kryeqytetin. Qindra qytetarë mbetën të bllokuar në trafik për orë të tëra, ndërsa rrugët kryesore u mbyllën, duke shkaktuar pakënaqësi dhe nervozizëm tek banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Kjo foto e shkrepur sot, tregon një pjesëmarrës të maratonës duke kaluar pranë koshave të tejmbushur me mbeturina, një kontrast i fortë me propagandën e bashkisë për pastërti dhe menaxhim mjedisor.
Për ironi, kjo ndodh ndërkohë që qytetarët shqiptarë kanë paguar dhe vazhdojnë paguajnë miliona euro për inceneratorët inekzistentë, të cilët duhej të garantonin një qytet të pastër. Por realiteti i sotëm tregon krejt të kundërtën: një Tiranë të bllokuar, të mbushur me mbeturina dhe një bashki që duket më shumë e fokusuar tek vjedhjet dhe shfaqja mediatike sesa tek problemet reale të qytetarëve.
Pamjet nga rrugët e kryeqytetit janë dëshmia më e qartë se asnjë fushatë propagandistike nuk mund të fshehë erën e keqe të papërgjegjshmërisë urbane.