Abonentë të kompanisë One Albania kanë ngritur alarmin për probleme me shërbimin e internetit, duke denoncuar pamundësinë për të aksesuar faqet e lajmeve dhe për të përdorur normalisht shfletuesit online.
Sipas denoncimeve, përdorues të këtij operatori po përballen me ndërprerje të aksesit në internet, ndërsa nuk arrijnë të hapin portalet informative për t’u njohur me zhvillimet e fundit.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të momentit kur është raportuar. Problemet me internetin vijnë në kulmin e protestave studentore kundër qeverisë, të cilat kanë hyrë në ditën e nëntë dhe po shoqërohen me zhvillime të vazhdueshme në kryeqytet.
Ndërprerja e aksesit në faqet informative ngre shqetësime për mundësinë e qytetarëve për t’u informuar në kohë reale, veçanërisht në një periudhë kur protestat dhe reagimet ndaj qeverisë janë në qendër të vëmendjes publike.
Deri më tani, One Albania nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për shkaqet e problemeve të raportuara. Kompania nuk ka sqaruar as nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, sa abonentë janë prekur apo kur pritet rikthimi i plotë i shërbimit.
Në një kohë kur qytetarët mbështeten te interneti për të ndjekur lajmet dhe zhvillimet në vend, mungesa e aksesit në informacion përbën një shqetësim serioz.







