Ballina Aktualitet Drejt fundit të mandatit, Dumani pritet në Bruksel për të prezantuar arritjet...

Drejt fundit të mandatit, Dumani pritet në Bruksel për të prezantuar arritjet e SPAK

36
0

Së shpejti, Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, do të mirëpritet në Bruksel, ku do të prezantojë arritjet e institucionit gjatë mandatit të tij.

Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, teksa vendi vijon përpjekjet për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe puna e SPAK konsiderohet një kontribut i drejtpërdrejtë në këtë drejtim.

Më 20 tetor, Drejtoresha për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Valentina Superti, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë, zhvilloi një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin.

Sipas njoftimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, biseda u vlerësua si “shumë e frytshme”, duke u fokusuar në rolin e rëndësishëm të SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Delegacioni nënvizoi se puna thelbësore e SPAK duhet të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri dhe forcë, edhe pas përfundimit të mandatit të Dumanit, duke theksuar se procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Strukturës së Posaçme do të monitorohet nga afër nga Bashkimi Evropian.

SPAK, shtyllë e Reformës në Drejtësi
SPAK u krijua më 19 dhjetor 2019, si një nga institucionet kyçe të Reformës në Drejtësi, me misionin për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta të pushtetit.

Altin Dumani është kreu i dytë i SPAK, pas Arben Krajës, dhe mandati i tij përfundon më 18 dhjetor 2025.
Sipas ligjit, mandati i kryetarit të SPAK është trevjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, ndërsa prokurorët e strukturës kanë një mandat nëntëvjeçar.

Rezultatet e arritura nga SPAK janë cilësuar si hapa konkretë dhe pozitivë në raportet e fundit të Parlamentit Evropian, duke theksuar se puna e kësaj strukture po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besueshmërisë së sistemit të drejtësisë shqiptare.
Zyrtarët evropianë kanë theksuar se pavarësia e SPAK duhet të mbrohet dhe garantohet plotësisht, si një element kyç për forcimin e shtetit ligjor dhe për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian.