Ballina Editorial Gjykimi në dhomë këshillimi është gjykim cubash

Gjykimi në dhomë këshillimi është gjykim cubash

41
0

Nga Ylli Manjani 

Ajo që konstaton Edi Rama mbi nivelin skandaloz të ndërtesave të gjykatave qëndron. Duhet me patjetër një koncept krejt tjetër infrastrukture që siguron akses,  siguri dhe transparencë në gjykatë.

Kam bindjen se me gjithë këtë sipërmarrje ndërtimi që ekziston në vend kjo infrastrukturë është e bëshme.

Por, si fillim na nevojitet gjykata  e aksesueshme, transparente dhe e drejtë të për gjithë palët.

Këtë gjykatë nuk e bëjnë dot ndërtuesit e as qeveria. Duhet ta bëjë ligji.

Gjykata e sotme nuk është normalisht e aksesueshme. I kushton shumë para atij që ka nevojë për të. Është shumë larg vendit ku jeton. Nuk është transparente . Mbi të gjitha nuk jepet kurrë në kohën e duhur.

Shihni ç’ndodh këtë javë që avokatët janë në bojkot. Gjykatat vijojnë punën në dhomë këshillimi.  Ky standard gjykimi është kulmi i mungesës së transparencës dhe i gjykimeve në proces të parregullt.

Dmth ata vendosin për ty, pa të dëgjuar në një seancë gjyqsore të hapur!!! Ti e merr vesh çkanë vendosur për ty, pas shpine, ose nga polici që ka një palë pranfa në dorë ose nga faqja e internetit kur ti pret një vendim.

E drejta kushtetuese për tu dëgjuar në gjyq të hapur, është zëvendësuar me të drejtën për t’u lexuar në gjyqe të mbyllura!!!

Burrë nëne që na e mbush mendjen se gjykata arrin të lexojë se çfarë shkruajnë palët, nuk ka.  Ndërsa për të kuptuar atë që është shkruar, jo burrë nëne po asnjë burrë gruaje nuk na e mbush dot mendjen.

Ashtu siç në gjyqet e mbyllura qëndron dyshimi më shumë sesa i arsyeshëm se e gjen rrugën për të hyrë gjithmonë pala që është më e fortë sesa ty. Në kohët e sotme prokurorët e gjejnë derën e atyre gjyqeve…

Ndaj e shkruara nuk është metodë efektive e të drejtës për t’u dëgjuar. E mbyllura nuk është gjykim i drejtë, i rregullt dhe i paanshëm.

Gjykata duhet të dëgjojë që të kuptojë çështjen.  Duhet të lejojë debatin në sallë gjyqi që të kuptojë ku fle lepuri. Vetëm kështu gjykata e kupton problemin dhe arrin të krijojë bindje të drejtë.

Ne të shkruar e të lexuar nuk e kupton dot kurrë çfarë ka dosja dhe cilat janë prerendimet e palëve.

E folura ka brënda edhe emocion, i cili e bën të gjallë pretendimin ligjor. E shkruara është e ftohtë, pa emocion dhe, e bën njeriun statistikë.

Pra, që ti vë kapak arsyetimit, godinat me salla gjyqesh duhen patjetër. Por si fillim na duhet gjykata e gatshme për të gjykuar në sallën e gjyqit jo në kulisat e (ç)këshillimit.

Parlamenti duhet ta ndalojë prerë me ligj gjykimin jashtë sallës së gjyqit e pa palë prezente.

Gjykimin pas shpine, pra pa praninë tënde, ta bëjn vetëm cubat ose kriminelët kur duan të të marrin jetën, erzin apo pronën, jo gjykata që presupozohet ti dënojë ata.

Gjykimi në dhomë këshillimi është gjykim cubash.