Ballina Aktualitet GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, ish-presidenti do vazhdojë të qëndrojë në...

GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, ish-presidenti do vazhdojë të qëndrojë në burg

109
0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e Ilir Metës për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, të paraqitur një ditë më parë nga avokati i tij mbrojtës.

Në dokumentin e depozituar në gjykatë, Meta kërkonte rrëzimin e tre vendimeve të mëparshme: dy të GJKKO-së (nr. 125 dhe nr. 130, të muajit tetor 2024) dhe një vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm (nr. 59, nëntor 2024), përmes të cilëve ishte konfirmuar masa e sigurisë ndaj tij.

Në kërkesë sqarohet se procedimi penal ndaj Metës ka nisur pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Romeo Kara në Prokurorinë e Posaçme. Në kallëzim përmenden edhe emra të tjerë të njohur, përfshirë Sali Berishën, Kastriot Ismailajn, Tomas Pleshkashin dhe Bujar Nepravishtën, të cilët lidhen me dyshime për afera korruptive në çështjen e privatizimit të kompanisë “DIA–ÇEZ Shpërndarje”, që daton që nga shtatori i vitit 2010.

Gjithashtu, në materialin e paraqitur në gjykatë, përmendet se Romeo Kara, gjatë përfaqësimit ligjor në procesin e arbitrazhit në Vjenë lidhur me çështjen e OSHEE-së, është njohur me të dhëna që kanë lidhje me hetimin penal në fjalë.