Ballina Ekonomia Prodhimi i energjisë nga fotovoltaikët arrin 79 mijë MWh

Prodhimi i energjisë nga fotovoltaikët arrin 79 mijë MWh

72
0

Ngarkesa totale në sistemin e transmetimit për muajin shtator 2025 ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), ngarkesa në rrjet gjatë muajit shtator 2025 arriti në 575.4 GWh, duke u rritur me rreth 5,8% në raport me shtatorin 2024, kur u regjistrua në nivelin 544.1 GWh.

Prodhimi total i energjisë elektrike për këtë muaj ishte 328.445 MWh, ku pjesën më të madhe të saj e përbëjnë burimet hidroenergjetike.

Konkretisht, hidrocentralet me rezervuar prodhuan 220.781 MWh, ndërsa ato me derivacion kontribuan me 20.590 MWh. Gjithashtu, termocentralet prodhuan 7.961 MWh energji.

Një risi domethënëse në strukturën e prodhimit përbën rritja e ndjeshme e energjisë së prodhuar nga panelet fotovoltaike.

Gjatë muajit shtator 2025, prodhimi nga burimet diellore (PV) arriti në 79.113 MWh, duke konfirmuar një tendencë në rritje të rolit të energjisë së rinovueshme në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend.

OST thekson se po monitoron parametrat e funksionimit të sistemit, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët në të gjithë territorin.