Shkencëtarët e University of North Carolina kanë krijuar robotë mikroskopikë në formë lulesh që ndryshojnë formë dhe sjellje sipas mjedisit, njësoj si organizmat e gjallë. Këto “lule ADN-je” përbëhen nga kristale speciale që formohen nga shkrirja e ADN-së me materiale inorganike. Ato mund të palosen e shpalosen brenda disa sekondave, çka i rendit ndër materialet më dinamike të krijuara ndonjëherë në përmasa kaq të vogla.
Çdo lule ADN-je vepron si një program i vogël kompjuteri që i tregon si të lëvizë dhe reagojë. Kur mjedisi ndryshon si për shembull aciditeti rritet ose ulet, lulja hapet, mbyllet ose shkakton një reaksion kimik. Kjo do të thotë se një ditë këta robotë mund të veprojnë vetë, nga transportimi i barjnave në organizëm deri te pastrimi i mbetjeve.
“Njerëzve do t’u pëlqente që të kishin kapsula të zgjuara që aktivizojnë barnat automatikisht kur dallojnë sëmundje dhe ndalojnë kur shërohen. Në teori, kjo është e mundur me materialet tona që ndryshojnë formë”, tha Ronit Freeman. “Në të ardhmen, lulet e gëlltitshme apo të implementueshme mund të krijohen për të dërguar një sasi të caktuar barnash, të kryejnë një biopsi apo të largojnë një trombozë gjaku.”
Ideja e luleve erdhi nga procese natyrore si hapja e petaleve, pulsimi i koraleve dhe indet që krijohen te organizmat e gjallë. Shkencëtarët dëshirojnë t’i kthejnë këto veçori në materiale artificiale.
Çelësi i suksesit është vendosja e ADN-së brenda kristaleve si lule. Kur mjedisi bëhet acid, disa pjesë të ADN-së mbyllen fort dhe bashkë me to, edhe lulja. Kur kushtet e mjedisit normalizohen, ADN-ja zgjerohet dhe petalet hapen sërish. Kjo lëvizje e thjeshtë, por e fuqishme mund të përdoret në kontrollimin e reaksioneve kimike, përçimin dhe çlirimin e molekulave si dhe ndërveprimin me qelizat e indet.
Edhe pse teknologjia është ende e hershme, një ditë këto lule mund të injektohen në trup për të shëruar tumoret.
Përtej mjekësisë, mund të çlirohen agjentë pastrues në ujin e ndotur dhe të shpërbëhen pasi të jetë pastruar. Njëkohësisht mund të ruajnë sasi gjigante informacioni, deri në 2 trilionë GB në një lugë çaji.