Ballina Europë ​Spanja kërkon fundin e ndërrimit të orës, propozon që ndryshimi të ndalet...

​Spanja kërkon fundin e ndërrimit të orës, propozon që ndryshimi të ndalet nga viti 2026

89
0

Spanja do t’i kërkojë Bashkimit Evropian që të ndalojë ndryshimin e orës dy herë në vit, duke nisur nga viti 2026. Kryeministri Pedro Sanchez tha se kjo praktikë është e vjetruar dhe shkakton shqetësime te qytetarët.

“Këtë javë ndryshojmë sërish orën, por sinqerisht nuk shoh më asnjë qëllim”, u shpreh ai në një video në rrjetet sociale.

Sipas tij, shumica e spanjollëve dhe europianëve janë kundër kësaj praktike. Ai theksoi se shkenca ka treguar se ndërrimi i orës nuk kursen energji. Përkundrazi, ai dëmton ritmet biologjike të trupit dy herë në vit.

Me këtë nismë, Spanja kërkon të rihapë një vendim të bllokuar të Parlamentit Evropian nga viti 2018. Atëherë u propozua heqja përfundimtare e orës së verës në të gjithë BE-në. “Spanja do t’i bëjë thirrje Këshillit Evropian të veprojë dhe të ndalojë këtë ndryshim që nga viti 2026”, tha Sanchez.

Propozimi u paraqit në takimin e ministrave të Transportit, Telekomunikacionit dhe Energjisë në Luksemburg, transmeton RTSH.

Kryeministri e cilësoi këtë si një hap drejt një politike të dobishme dhe demokratike. Por ai nuk sqaroi ende se cilën zonë kohore do të mbajë Spanja nëse ndryshimi i orës hiqet përfundimisht.