Ballina Dossier Bardhyl Agasi, politikan senator dhe krijues i admiruar nga të gjithë

Bardhyl Agasi, politikan senator dhe krijues i admiruar nga të gjithë

277
0

Bulevard news*

Për të zënë vend në elitën e njerëzve të respektuar lypset të sakrifikohet shumë. Ndodh që pas mundit të gjatë dhe provave të mbushuara me histori, që i shohin më filma e i lexojmë në vepra letrare, edhe dështon. Ndodh edhe që ia del mbanë. Janë një mori faktorësh që ndikojnë, në të dyja anët. Fati po se po. Por edhe karakteri, serioziteti, përkushtimi. Këto e të tjera kanë pjesën e tyre. Bardhyl Agasi është njëri ndër ata të paktë intelektualë të kohës së përmbysjes së madhe të viteve 1990 që mori vendime të guximshme. I pëlqen shumë ta thërrasin Bardhi, pa ndonjë ofiq edhe pse të gjitha të merituara. Është poet, publicist, politikan, deputet, diplomat. Ka kaluar në disa dyer dhe porta. Ka ngjitur edhe shkallë të mermerta në atë që njihet si tempull i demokracisë. Ka hyrë e ka dalë në koridore, zyra dhe auditore ku janë lozur fatet e vendit, fatet e Shqipërisë. Ka shtërnguar duart me burra shteti, figura të politikës botërore, personalitete që kanë mbajtur mbi shpatulla boshtin dhe kolonat e  demokracisë. Përjetoi çaste të forta emocionale gjatë karrierës së tij në politikë. Pati jo pak herë momente më shumë se dramatike. Guxoi të merrte mbi vete barrën e një epoke që rebeloi popullin. Jo për t’i bërë avokatinë. As për ta pasur si shembëllim. U rreshtua në anën e intelektualëve të cilët koha dhe historia i vendosi në skalionin e parë të vorbullave të lëvizjes së madhe të pluralizmit politik. Populli i rebeluar po kalonte në kaos. Kampet ishin armiqësuar deri në pakufi. Edhe Hëna ishte e kuqe, digjte e përvëlonte në atë kohë. Bardhi nuk i mbylli sytë për t’iu futut pashë më pash detit. Jo. I bindur dhe i vendosur se ishte koha të fliste, të merrte përgjegjësi dhe të orientonte valën e zemëratës së grumbulluar pranoi të sakrifikojë jo pak. I bindur se koha do i jepte të drejtë, doli në krye të lëvizjes politike e cila mbante peshën më të madhe të përgjegjësive politike për atë që kishte ndodhur në 50 vite të shkuara, edhe pse vet Bardhi as nuk i përkiste dhe as nuk e dëshironte. Gjithëherë serioz, i pjekur e i matur. Durimi dhe besimi se një ditë do ia dilte mbanë i dhanë forcë. Sot, pas më shumë se dy dekada larg nga rrënimi murit komunist, Bardh Agasi është i rrethuar nga miq të panumërt. Edhe ata që ishin skeptik, apo kritik ndaj pozicionit të zgjedhur nga Ai në ditët e para të pluralizmit, janë rreshtuar me të. E duan të gjithë. Ndihet shumë mirë. Asgjë për të nuk ka rëndësi më shumë sesa ndërtimi i shoqërisë së lirë.

Familja

Hasan Agasi, babai gjashtë fëmijëve, mes tyre edhe Bardhyli, ishte njeri i shkolluar. Kishte përfunduar studimet në Ekonomik. Kjo në kohën e para çlirimit të vendit ishte shumë pasi të arsimuarit ishin me gishta dore, pak, fare pak. Hasani kishte kryer edhe studime në Napoli të Italisë. Pushtimi fashist i vendit e gjeti atë në detyrë policie. Origjina familjes Agasi ishte nga Preza dhe mëpas u shpërngulën për t’u vendosur në Durrës. Para se vendi të fitonte lirinë, kryefamiljari Hasan Agasi shërbeu në kuesturën e Durrësit. Gjatë rezistencës u vendos në anë të lëvizjes çlirimtare dhe falë besimit që krijoi qarkori i Partisë Komuniste  i Tiranës e mbajti aty. Në fundit e vitit 1943 rrëmbeu arshivën e kuesturës dhe e dërgoi në Pezë, shërbim sa i vështirë, aq edhe i guximshëm. Vangjel Heba, një ndër aktorët më të mëdhenj të teatirit të Durrësit pas Çlirimit, qe në të njëjtin njësit gueril me Hasan Agasin. Pas çlirimit shërbeu si rrogtar në ndërmarrjen tregtare shtetërore të veglave të automjeteve, me detyrën e ekonomistit, ndërsa gëzoi përgjithmonë statusin e veteranit të Luftës. Çlirimi e gjeti familjen Agasi në Durrës ku edhe sollën në jetë gjashtë fëmijë: Gani, Nazmie, Bardhyl, Vera, Abdulla dhe Shefikat (Nushe, siç e thërrasin gjithnjë). Qyteti në atë kohë ishte shumë i njohur për Shanin. Ai kishte përfunduar studimet në shkollën qytetëse. Së bashku me figura si Ali Sula, Ramazan Njala, Kaçulini e të tjerë ishin nxënësit e parë të kësaj shkolle. Fitnetja, mamaja e djemve dhe vajzave Agasi, shërbeu si edukatore çerdhe. Edhe pse familj me shumë fëmijë dhe me vështirësi të mëdha ekonomike, prindërit bënë përpjekjet e tyre për shkollimin e fëmijëve. Bardhi shfaqte interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo ra shumë shpejt në sy të prindërve të cilët e mbështetën me sa mundësi që kishin.

Ecja në vite…

Bardhyl Agasi kreu gjimnazin “Gjergj Kastiotit” në Durrës me rezultate shumë premtuese. Pas përfundimit të shkollës punësohet për një vit në portin e Durrësit dhe bën punë shumë të vështrira. Për shkak të mesatares shumë të lartë, në vjeshtën e vitit 1968 vijon studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për Gjuhë shqipe e Letërsi. Fati e deshi që në godinën numër 14 tek qyteti “Studenti” të rastiste në të njëjtën dhomë konvikti me krijuesit Rudolf Marku, Bardhyl Matraxhiu, Ilir Resmja, Bardhyl Rexha. Të gjithë së bashku botonin cikle me poezi tek gazeta “Zëri i Rinisë” në saj edhe të mbështetjes së madhe e të pakursyer që gjetën tek kryeradaktori Vath Koreshi. Me të përfunduar studimet në vitin 1972, emërohet mësues Letërsie në shkollën e Shkozetit dhe pas 18 muajsh transferohet që andej për t’u sistemuar tek pallati “Rinia”. Këtu zëvendësoi aktorin Fadil Hasa i cili kalon si profesionist tek trupa e estradës. Ishte viti 1974. Grupet amatore të estradës dhe teatrit në ndërmarrjet e rrethit të Durrësit kishin brenda tyre artistë, humoristë, aktorë, instrumentistë, vallëtarë e këngëtaë shumë të mirë. Për shkak të aftësive drejtuese tek pallati “Rinia”, trupë që furnizonte estradën dhe teatrin profesionist me zëra të rinj, Agasi emërohet drejtor në pallatin e kulturës në vitin 1981. Vitet e ndërrimit të sistemit politik në vend e gjejnë në pozitën e drejtuesit të teatrit “Aleksandër Moisiu” që në atë kohë, së bashku me punonjësit ndihmës numëronte 84 vetë. Durrësi kishte trupë shumë cilësore të teatrit profesionist, estradës profesioniste dhe trupën e kukullës. Ishin vënë në skenë pjesë shumë të guximshme për kohën, deri edhe tabu. Një sërë faktorësh patën ndikim në këtë drejtim. Agasi futi frymën e bashkëpunimit, ndërsa krijoi hapsira edhe për regjisorët e aktorët të cilët kërkonin të gjenin pjesë e role në përshtatje me problematikën e jetës së përditshme. Vet Agasi, ashtu pa ditur si dhe pa u kuptuar, u bë mburojë për tendencat liberale. Drejtimi teatrit dhe estradës vlerësohet nga Agasi si sfidë shumë e vështirë. Aktorët njihen për frymën rebele dhe liberale, ndaj atij i duhej të ruante ekuilibret mes kësaj pjesë dhe vet realitetit politik të kohës.

Politika…

I bindur se po shkelte në binarë të vështirë dhe po ecte në rrugë plot rreziqe, Bardhyl Agasi vendos të vihet në krye të lëvizjes për reformimin e PS. Ishte viti 1991. Eksodi i parë kishte ndodhur. Vendi ishte në kaos. Kishte fryrë erë e re, por padurimi krijonte pështjellime turbulluese. Regjimi komunist nuk kishte më asnjë shpresë të qëndronte në këmbë. Partisë shtet ia kishin kthyer krahët të gjithë. Edhe ata që kishin ngrënë, kishin pirë dhe kishin bërë njëmijë e një prapësi nën ombrellën e regjimit. Pikërisht në këtë situatë Bardh Agasi merr përsipër misionin e vështirë për të reformuar partinë e vjetër, për ta bërë liberale e demokratike. Durrësi në atë periudhë kishte 3-4 muaj pa kryetar politik. Agasi u vendos përballë presioneve të forta që kërkonin ta mbanin sa më larg vendimit për të marrë drejtimin e partisë socialiste. Shoku e miku i fëmijërisë Moikom Zeqo e bindi Agasin guxonte e të sfidonte realitetin e kohës. I vetmi privilegj për të ishte se me të kaluarën nuk kishte asgjë të përbashkët. I rrethuar nga fare pak besnikë, në shtator 1991, takon Fatos Nanon. Ishte i pari takim. Asnjëherë nuk ishin vënë ballë për ballë. Tirana dhe gjithë Shqipëria kërkonin ndryshimin e madh. Agasi vuri re se Nano ishte shumë optimist, ndaj që aty vendosën. Kryesocialisti Nano thërret Spiro Deden dhe po atë ditë, të tre së bashku nisen për në Durrës. Shpejt e shpejt mbledhin ata pak anëtarë fanatikë të mbetur. Pa vonuar fare publikojnë emrin e Bardhyl Agasit në krye të socialistëve të Durrësit. I bindur se familja, shoqëria, të afërmit nuk do e prisnin mirë këtë nismë të tij, Agasi vendos të tregohet i qetë dhe i kujdesshëm për të punuar me maturin. Imazhi socialist asokohe ishte përtokë. TVSH nxiton dhe bën publik se në krye të socialistë në qytetin bregdetar ishte vendosur ish drejtori teatrit, Agasi. Të nesërmen poeti dhe intelektuali provoi ftohtësinë e shoqërisë. Gjynahet e Partisë së Punës duhej t’i mbante vet ai. Rrisk që në një farë forme dhe mënyre e pranoi që kurse mori nismën për të mos i lënë socialistët në rrugë të madhe. Vendi ishte në varfëri ekstreme. Të gjithë kërkonin bukë e ushqim. papunësia sa vinte e shtohej. Edhe rebelimi po ashtu. Agasi kishte bindjen se do ia dilte mbanë. Besonte se shumë shpejt qytetarët që e braktisën, që ia kthyen shpinën vetëm pse mori përsipër këtë mision politik, do të riktheheshin tek ai. Kishte bindjen e fortë se vetëm një PS evropiane ishte ilaç. Në selinë politike të Durrësit hynin fare pak njerëz. Edhe ata që kishin besim tek Agasi dhe personat politik rreth tij, vinin fshehurazi. Gati i vetmuar për një periudhë disamujore. Shtatë vetë nga forumi i të rinjve socialist dukeshin tek-tuk si mbështetje dhe “truprojë” politike. Ishin fare pak emra që përpiqeshin të mbanin gjallë politikën socialiste: Moikom Zeqo, Spartak Braho, Ilirjana Kërçuku, Natasha Paço, Gazmir Bizhga. Zgjedhjet e para qenë zhgënjyese për ta pasi 1992-1996 socialistët morën fare pak mandate deputeti. Megjithatë Agasi nuk u tundua. Bashkëpunimi me miqtë e tij në Tiranë: Fatos Nano, Dritëro Agolli, Sërvet Pëllumbi, Ethem Ruka, Kastiot Islami… ia shtonte dozat e besimit se shumë shpejt socialistët do të reformoheshin dhe se ata do të ishin pjesë e bllokut evropian në politikë. Arrestimi Nanos, degdisja e disa eksponentëve jashtë shteti, kryesisht në Gjermani, provokoi tjetër pasiguri dhe destabilitet brenda rradhëve të socialistëve. Durrësi mbulonte qytetin me rrethina, Shijakun, Kavajën dhe Rrogozhinën. Marsi 1992 u dha socialistëve vetëm 16.5 përqind. Kjo lëvizje politike ishte në ditët më të këqia dhe në prag të shpërbërjes përfundimtare. Agasi së bashku me miqtë e tij mundën të kapërcejnë mbi këtë prag gremisjeje dhe arritën që pesë-gjashtë vite më pas socialistët të bëhen në Durrës forcë e parë politikë me 52 përqind. Pikërisht në këtë kohë Agasi ishte edhe deputet, edhe kryetar i PS në Durrës. Qëndrimi liberal, lënia pas e së shkuarës politike të vendit, thithja e elementëve që gëzonin respekt e mbështetje, distancimi nga njerëzit e shërbimeve sekrete dhe njerëzit që nuk gëzonin asnjë lloj respekti në opinion, e bëri ekipin politik të Agasit të besuar. Rreth tij u grumbulluan persona liberal, me frymë demokratike dhe që nuk kishin pasur funksione politike në të shkuarën jo të largët. Ndërsa provën e parë e kaloi me shumë maturi, marsi 1997 e vendosi përballë sfidës edhe më të rëndë. Populli qe i rebeluar dhe armët ishin sheshit. Peshën e Agasit e ndienin edhe familja. Bashkëshortja Besa Agasi, mjeke pediatre ndiqte me jo pak shqetësim daljet kohë e pa kohë të të shoqit në takime politike, apo edhe kthimet e tij pas mesnate nga Tirana. Edhe fëmijët Viola dhe Ergys përjetonin ditë pas dite merakun për të atin. Të dy ishin të rritur dhe e kuptonin se sa i vështirë dhe me sa shumë rreziqe ishte pozicioni babait. Por prindi, duke ndjerë dhe ditur mirë përjetimet e bashkëshortes dhe fëmijëve përpiqej t’i mbante larg peripecive që kalonte. Në saj të kulturës, temperamentit dhe karakterit Agasi diti të orientojë subjektin e tij politik për të kapërcyer të keqen e madhe të 97. Gatishmëria e tij për të bashkëpunuar edhe me eksponentë të krahut të djathtë në shërbim të qetësimit dhe vënies nën kontroll të situatës tragjike në Durrës i dhanë shumë pikë si intelektual dhe politikan. Bashkëpunoi me figurat e PD në Durrës si Artan Hoxha, Vaso Llapa, Edmir Kapidani, Arqile Goreja…Në këtë kohë pjekuria e tij politike ishte për t’u lavdëruar dhe për t’u marrë si shembull. Agasi fitoi për herë të parë mandatin e deputetit në vitin 1992 dhe e mbajti tre herë rradhazi, deri në vitin 2005, për 12-13 vite. Gjatë viteve 2003-2005 qe edhe sekretar për marrëdhëniet me publikun në PSSH, ndërkohë që pozicioni nënkryetarit të grupit parlamentar të PS ia rriti edhe më tej vlerat. Në fund të mandatit të tretë parlamentar caktohet ambasador në Danimarkë ku nuk qëndroi shumë pasi vullnetarisht dhe me bindjen e plotë jep dorëheqjen ngase mazhoranca qeverisëse kalon në anë të PD. Kontributet e tij për ndërtimin e spitalit të ri, hapjen e universitetit, ndërtimin e shkollave, zgjerimin e rrjetit elektrik dhe të ujit të pishëm, përmirësimi infrastrukturës urbane e të tjera kanë jo pak dorën dhe ndikimin e deputetit Bardhyl Agasi dhe ekipit të tij. Edhe pse sot është disi jashtë funksioneve politike, vazdhon të jap ndihmesë në rastet që kanë të bëjnë me pozicionime të ndryshme dhe ruajtjen e ekuilibreve.

Krijimtaria

Krijimi i tij i përë i përket një kohë disi të largët nga ditët tona. Agasi asokohe ishte në klasën e tretë, 9 vjeç. Mori pjesë në një konkurs letrar dhe krijimi tij u botua tek “Pionieri”. Shtëpia “Pionieri” thithte të tillë elementë dhe aty ndodhte shpërthimi talenteve. Bashkë me të në rrethin e krijuesve ishin edhe Moikom Zeqo, Meri Vaso, Naxhie Gripshi, kryesisht në poezi. Në gjimnaz, të gjithë e thërrisnin “poet”. Edhe mësuesit po ashtu. “Ngrehu ti poet në mësim!”-i thonin mësuesit. Botoi një pas një tek “Zëri Rinisë” dhe “Drita”. Atje ishin redaktorë Dalan Shapllo, Zija Çela, Abdurrahim Myftiu. Pedagogët e Letërsisë, Nexhip Gami, Dalan Shapllo, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi e trajtonin si shok, si mik, si krijues. Poezitë e Agasit shpallen fituese disa herë. Fiton çmimin e dytë në vitin 1976. Shapllo shkruan tek “Zëri Rinisë” se me zëra të tillë si Agasi poezia shqipe ka të ardhme shumë të mirë. Po atë vit, 1976, gatuan edhe vëllimin e parë me një cikël poezish. Shef  redaksie për poezinë në shtëpinë botuese ishte Dhimitër Fullani dhe ai e ngre në qiell talentin Agasi. Drejtor, po aty, ishte Thanas Leci, për të cilin poeti durrsak thotë se qe burrë i qetë, i rrafshtë dhe i ndershëm. Ai e thërret mënjanë dhe pa i dhënë shpjegime i bën të ditur se cikli poetik, edhe pse shumë i mirë, nuk do të botohej. Më vonë u kuptuar se kishte ca poezi si vjersha “Bruti” që aludohej për kohën. Tufa me 50-60 poezi qëndroi në sirtarë për disa vite dhe u botua pas 1990-ës. Për shkak të kësaj situate të pashpjegueshme, krijuesi Bardhyl Agasi tërhiqet. Qëndron në pozitat e heshtura. Tek-tuk ndonjë poezi dhe vetëm kaq. Si gjithnjë nxitja dhe shtytja mikut të tij Zeqo, e dërgon poetin drejt botimit të vëllimit të parë poetik “Fjala e fshehur”. Një nga një erdhën “Çelësat e ferrit”, “Gjithandej”, “ Pyes detin dhe qiellin”, “ Ura e fundit”, “ Shfryn nëpër erë”, “ Fjala e fshehur”…Guxim me sukses për të qe edhe proza e gjatë, romani. Shkroi “Papagajtë e mbramë”, jeta në teatër. Roman i pas viteve 90, në qendër të të cilit qëndron satira, trajtimi ironik i raportit pushtet-art. Agasi, për shkak se ka qenë në shumë tryeza të rëndësishme politike për fatet e vendit, ka botuar edhe librin me kujtime “Në krahë dhe përballë”. Në 300 faqet e librit kanë zënë vend raportet e tij dhe jo vetëm me politikanë si Fatos Nano, Sali Berisha, Pandeli Majko, Sërvet Pëllumbi, Ilir Meta, Alfred Moisiu, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Namik Dokle, Jozefina Topalli, Bamir Topi, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj …Krijuesi ka pasur gjithnjë raporte shumë të mira edhe me redaktorë si Petraq Risto, Petrit Ymeri, Vllasova Musta… Agasi ka gati librin e rradhës me poezi të cilin pret ta botojë në janar. Ndërkohë ka në dorë edhe nëj novele, fatin e një gruaje të mbetur në rrugë, novelë që shpreson ta mbyllë sa më shpejt, ndërkohë që ëndërron të botojë edhe një dramë, nostalgji e mbetur që në kohën studentore teksa mbrojti diplomën me tematikën e dramave të Çehovit.

Agasi dhe teatri

Censura dhe kufizimet politike të kohës së para viteve 1990, nuk ia kanë zbehur aspak mbresat dhe shijen shumë të mirë që i ka lënë periudha kur Agasi drejtonte trupen e teatrit të Durrësit. Puna në teatër ishte shumë e vështirë pasi veç kufizimeve të kohës, artistët kishin ambiciet dhe rebelimet e tyre. Teatri dhe estrada aso kohe patën emra të mëdhenj artistësh dhe kjo bëri që publiku ta priste me padurim vënien në skenë të pjesëve njëra pas tjetrës. Agasi provoi të kapërcejë edhe censurën me “Ylli pa emër”, “Ngjarje skandaloze”, “Lebra”, “Përshpirtje në shtëpinë e Matildës”, “Shtëpia e lepujve”… Shumë pjesë që lozeshin në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës nuk viheshin në asnjë teatër tjetër dhe kjo për mesazhet e vet pjesëve që për kohën bartnin rrisk shumë të madh. “Përshpirtja në shtëpinë e Matildës” është vënë në skenë në vitin 1990. Në qendër të veprës qëndron e veja e diktatorit që dashuron majorin. Drama u pezullua për shkak të përmbajtjes thellësisht kundër rrymës së deriatëhershme në letëri e në art. Agasi e ka cilësuar periudhë të mrekullueshme kohën kur në skenë ngjiteshin aktorët V Heba, G. Radoja, A. bega, Xh. Ferri, L. Lushi, K. Kote, V. Deda, Xh. Tafaj, H. Bashhysa, D. Nikolla …Me të njëjtën konsideratë kujton edhe sukseset në estradë. Bardhyl Agasi në vitin 1985 drejton trupën e cila kishte aktorë të mrekullueshëm, këngëtar dhe instrumentistë tepër të zotë, regjisor të adhuruar nga të gjithë. Pas emrave të mëdhenj, “Artist të merituar” si Spiro Strati, Fadil Hasa,Aishe Stari renditeshin dhjetra artistë të tjerë me po aq merita si: A. pepa, L. Dashi, A. Xhepali, R. Koço. Drejtori Bardhyl Agasi i kushtoi në ato vite rëndësi të madhe edhe krijuesve e këngëtarëve. Nuk ishin pak, plot 15 të tillë, secili më i admiruar se tjetri: J. Vamo, P. Simaku, Z. Saraçi, Y. Çiftja, N. Kërçuku, P. Dobjani, Q. Kërtusha, M. Hysi, E. Laze, I. Gilani, S. Telo, M. Alite. Këto vite do të vlerësohen si mbresëlënëset edhe për faktin se vet krijuesi i pati të gjitha mundësitë të takojë dhe të jetojë përkrah aktorëve më të mëdhenj shqiptar. Në morinë e kujtimeve të Agasit si drejtor në këtë instituticion kulture qëndrojnë edhe orkestra e estradës për të cilën pohon se qe më e mira në Shqipëri me Enver Qerimi në violinë, Petraq Dhamo organo, Dashamir Hoxha saks, Qemal Kiptiu kitarë, Ndue Brozi klarinetë. Me këto figura të shquara të artit mori pjesë në festivalet e estradave profesioniste të organizuara në Vlorë, Shkodër, Tiranë, Kukës, Lushnje duke marrë çmime të para apo edhe flamurin e festivalit.

*Sqarim: Për shkak të një problem teknik, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, gazetari që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!