Raportohet se Neymar ka “hapur derën” për një transferim të bujshëm, vetëm disa muaj para nisjes së Kupës së Botës.
33-vjeçari u rikthye me emocion në klubin e tij të fëmijërisë, Santos, në fillim të vitit 2025, pas një periudhe të dështuar me skuadrën arabe Al-Hilal. Megjithatë, kthimi i tij në Brazil nuk ka shkuar sipas pritshmërive.
Aktualisht, Santos renditet në vendin e 16-të në kampionat, vetëm një pozicion mbi zonën e rënies nga kategoria, ndërsa Neymar ka kaluar një tjetër sezon të shoqëruar nga dëmtime të shumta.
Kontrata e tij skadon në fund të dhjetorit, pas përfundimit të sezonit, që do të thotë se ai do të jetë lojtar i lirë në vitin 2026.
Me Kupën e Botës që po afrohet, Neymar është i vendosur të ringjallë karrierën e tij dhe të bindë Carlo Ancelottin për ta përfshirë në listën e Brazilit.
Edhe pse ai e ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Evropë, sipas të përditshmes “Sport”, asnjë klub nuk ka shfaqur interes të vërtetë për ta transferuar.
Burimi spanjoll shton se tani Neymar ka dy alternativa: të nënshkruajë një kontratë gjashtëmujore të me Santos ose të transferohet në MLS.
Megjithëse i ati i tij thuhet se dëshiron ta shohë të qëndrojë në Brazil, situata e klubit mbetet e pasigurt, pasi ata po luftojnë për të qëndruar në elitën e futbollit brazilian.
Një destinacion i mundshëm që ka dalë në SHBA është Inter Miami.
Një kalim i tillë do ta ribashkonte Neymarin me Lionel Messin dhe Luis Suarezin, me të cilët ai formoi një nga treshët më të frikshëm sulmues në historinë e futbollit gjatë kohës te Barcelona, ku fituan tripletën.
Me ish-bashkëlojtarët e tij te Barça, Jordi Alba dhe Sergio Busquets, që pritet të tërhiqen në fund të vitit, Neymar mund të bashkohet me Inter Miamin.







