Ballina Dossier Dr. Bashkim Habibi: Ajo kohë nuk vjen më. Sot ka humbur besimi...

Dr. Bashkim Habibi: Ajo kohë nuk vjen më. Sot ka humbur besimi tek bluzat e bardha

127
0

Bulevard news*

Kirurgu Habibi ka bërë mbi 10 mijë operacione dhe pasuria e vetme e mbetur është miirënjohja dhe informacioni shumë i pasur shkencor. Përvoja, kujtimet, përjetimet e veçanta, materialet shkencore të përgatitura nga mjekët të cilët vendosën edhe themelet e shërbimit spitalor janë një pasuri me mjaft vlerë për bluzat e bardha në Durrës. Dr. Bashkim Habibi është një ndër ta. Mbi 10 mijë ndërhyrje kirurgjikale të urgjencës dhe të planfikuara ka shënuar në jetën e tij kirurgu që nuk e ndau bisturinë nga dora për afro 40 vite. Ai është ndër të paktët mjek pjesmarrës në të gjitha sesionet shkencore me cilësinë e ligjëruesit me temë shkencore, ndërsa është kujtuar dhe ia ka arritur të botojë edhe historikun e spitaleve të Durrësit. Habibi ka thënë se mjeku gjatë gjithë historisë ka qënë shumë i vlerësuar dhe i respektuar, gjë që sot nuk po ndodh. Ai nuk ka marrë përsipër të bëjë autopsinë përse bluzat e bardha e kanë bjerrë atë meritë, megjithatë ka lënë të kuptohet se rikthimi disiplinës dhe ndërrimi mentalitetit tek personeli i bluzave të bardha do të jenë dy nga kolonat e rimarrjes së statusit të humbur prej 15 a më shumë vitesh.

Mjeku

Bashkim Habibi, si çdonjëri qytetar e intelektual ka specifikën e vet përsa i përket kulturës së fituar, shkollimit, edukimit profesional dhe karrierës në shërbimin mjekësor. Mjeku është fëmijë i një çifti me baba shqiptar dhe nënë serbe. Ai u lind në Fushë Kosovë, pak kilometër larg nga Prishtina, atje ku ishte vendosur edhe i ati si specialist në fushën e bujqësisë. Arsimin e detyruar e mori fillimisht në Sukth të Durrësit e më pas atë të mesëm në Politeknikumin e Tiranës për të përfunduar studimet e larta për mjekësi në Universitetin e Tiranës. I diplomuar në mjekësinë e përgjitshhme, Habibi do të rikthehet sërish në auditoret e universitetit për të kryer specializimin në kirurgji të përgjitshhme dhe për të mos u mjaftuar me kaq përfundon edhe një të dytë specializim, këtë herë për Ortopedi Traumatologji duke u bërë kështu edhe i pari ortoped në historikun e kirurgjisë së Durrësit. Bluzën e bardha do e vesh për herë të parë në Xhafzotaj të Durrësit dhe për vitet 1961-1963 do të shërbejë si ndihmësmjek këtu, në Gosë e Sukth, për t’iu përkushtuar më pas thellimit të njohurive në universitet. Me të përfunduar Mjekësinë emërohet mjek i përgjitshhëm në Durrës dhe pas vitit 1973 kirurg për të mos e hequr bisturinë  nga dora edhe sot që po arrin të 70 vitet e moshës. Në ato vite e gjithë kirurgjia ishte në shpatullat e dr. Paskal Prodanit, dr.Miri Hotit, dr. Bashkim Habibit, dr. Prokop Lala dhe dr. Reshit Zusit. Të gjitha llojet e operimeve, nga koka deri tek këmbët; nga truri, stomaku, zemra, mëlçia, veshkat e deri tek frakturat e mëdha e të vogla. Habibi pohon se pati fatin e madh që në vitet e specializimit të kishte pedagogë dhe kirurgë shumë të zotë si dr. Petrit Gaçe dhe dr. Rushen Golemi, njëra nga emrat më të mëdha të kirurgjisë shqiptare dhe e vetmja femër kirurge, guximi i së cilës mbetet edhe sot një nga më të spikaturat në mjekësinë shqiptare. E tërë plejada e mjekëve dhe kirurgëve të atyre viteve kanë një të veçantë krahasur me brezin e ditëve të sotmë dhe që konsiston në respektin e thellë e të ndërsjelltë për kolegët. Habibi më shumë e nxit bisedën për të treguar përkushtimin e sakrifcat e kirurgëve, laborantëve, anestizistëve, por edhe personelit ndihmës dhe prapavijës dhe fare pak e aspak për veten e tij. Natyrë kjo e shumë intelektulëve që i kanë dhënë Durrësit kontributin dhe përkushtimin për gjysëm shekulli. Madje dr. Habibit i pëlqen të flasë për ato vite, konsultat pambarim, vizitat e pacientëve të njëri-tjetrit, vendimet e përbashkëta, asistenca tek kolegu në rastet e operimeve të ndërlikuara. Fakti se dr. Bashkim Habibi për vite të tëra ka qenë i vetmi kirurg ortoped dhe vetëm pas vitit 1984 nisi të vijë brezi i ri i kualifikuar në këtë specialitet të ndërlikuar mjëkësor, e ka bërë emrin e tij shumë të njohur. E gjithë gama e interventeve ortopedike në spitalin e Durrësit është realizuar nga vet Habibi.  Për 40 vite me radhë është i vemti kirurg që ka kryer shërbimin e rojes për urgjencën e përgjitshhme dhe të ortopedisë pa asnjë ndërprerje. Paralelisht me punën e përditshme, i është përkushtuar edhe përgatitjes së temave shkencore të cilat janë referuar në sesione shkencore, në Kongresin e Ortopedisë, në Konfrerenca Mediko-Kirurgjikale. 17 punime me karakter thellësisht shkencor mbajnë emrin e dr. Bashkim Habibi dhe të ligjeruara në auditore me specialist vendës e të huaj të kirurgjisë. Me shumë ndikim janë pritur artikujt e botuar në revistën “Buletini Uinversitetit të Tiranës” dhe revista të tjera shkencore të fushës së mjekësiësë, ndërsa një seri artikujsh janë bërë objekt në gazetat lokale e qendrore. Dr. Habibi ka realizuar edhe emisione televizive. Koha kur Habibi doli mjek përkoi me një periudhë të arsimimit edhe të shumë të rinjve në Mjekësi. Të kësaj plejade janë Eda Vokopola okuliste, Zografa Noni okuliste, Anastas Qerimi ORL, Vangjeli Bashku rehabilitim-ortoped, Osman Curri neurolog, Xhemal Doçi kardiolog…

Intervista

Bluzat e bardha janë bërë vitet e fundit objekt qortimesh dhe pakënaqësish qytetare për shkak të shërbimit jocilësor ndaj pacientit. Mund të bëni ndonjë krahasim mes kësaj periudhe dhe kohës kur ju nisët karrierën si mjek?

Ajo kohë nuk vjen më. Sot respekti për mjekun thuajse mungon fare. Në raste të rralla dëgjon lëvdata për këtë e atë mjek. E them në përgjithësi. Durrësi ka fatin e veçantë se ka shumëmirë të harmonizuar brezin tonë të kirurgëve me përvojë më shumë se 40-45 vjeçare, me brezin e mjekëve dhe kirurgëve të rinj të cilët kanë kryer specializime brenda e jashtë vendi. Megjithatë edhe këtu në Durrës thuajse është po ai opinion lidhur me respektin ndaj mjekut. Nuk marr përsipër të bëj gjykatësin. Atëherë mjeku ishte i gjithi në shërbim të pacientit, të qytetarit. Mjafton t’u them se kur unë e nisa punën si mjek isha fare i ri, por kur kaloja në koridor, kur hyja në laborator, shkoja në dhomat e të sëmurëve i gjithë personeli ngrehej në këmbë. Edhe ai që ishte në prag të pensionit, edhe kuzhinieri, shoferi, sanitarja. Kështu ndodhte me çdo mjek. Bluza e bardhë ishte padiskutim shumë e respektuar. Sot nuk ka disiplinë, nuk i thua dot një fjalë askuj. Kalon mjeku, kirurgu, shefi, askush nuk lëviz nga vendi. Pra, nuk bëhet më fjalë për respekt dhe kjo ka një bazë. Në gjykimin tim nuk funksionon shteti. Pastaj duhet ndërruar mentaliteti. Drejtuesi duhet të jetë pikë së pari i zoti punës së tij dhe më pas kërkues e zbatues i rreptë i ligjit, duhet të jetë i plotëfuqishëm. Nuk kam si ta kuptoj teksa drejtori merret edhe me rastin e grindjes së dy sanitareve. Vrap drejtuesi e në urgjencë apo reparte e merret me infermieren, furnitorin e ilaçeve, kaldaistin, shoferin. Nuk janë punët e tij. E merr një mik apo epror në telefon dhe urdhëra këtij e atij për ta shikuar këtë e atë pacient në mënyrë të veçantë, për t’i ndërruar dhomën, apo për t’i bërë një serum. Nuk bëhen punët kështu. Janë ngatërruar keq gjërat. Kjo e ka marrë në qafë mjekësinë. Çantën me ilaçe dhe nuk kemi lënë shtëpi më shtëpi pa shkuar me vrap, në këmbë, me çfarë kemi mundur sa herë që kishim urgjenca. Tani si po ndodh? Bënim mjek roje. Nuk ndodhte të mos kalonim dhomë më dhomë, shtrat më shtrat, pacient më pacient. Sot mjeku shikon vetëm pacientin e tij. Të kolegut nuk ia hedh syrin. Edhe po të ndodh që ndodkush t’i shkojë pacientit të mjekut tjetër për ta parë, del e hidhet përpjetë kolegu. I kanë ndarë “ky imi, ky yti”, paçka se i sëmuri mund të ketë nevojë për mjekun edhe kur nuk e ka aty pranë atë “mjekun e tij”. Pse kështu bëhet shërbimi për të cilën paguan shteti? Në ora 1 e në ora 2 pasmesnate tek koka të sëmurit bashkë me infermieren shkonim. Deri sa qetësohej. Sot kushtet e spitalit janë ku e ku me ato që kishim ne. Psh kishim dy tualete për 70 të sëmurë, sot çdo dhomë tualet, ujë të ngrohtë e të ftohtë, ajër të kondicionuar në disa reparte. Të mos dalim pastaj tek aparaturat, paisjet, instrumentet, hapsirat, kushtet e shtrimit, medikamentet e të tjera. Mjeku dhe infermieri në kohën tonë asnjëherë nuk ka diferencuar pacientët dhe as nuk ka shërbyer për të përfituar të mira materiale. Dikush mund të na sillte një shishe raki, dikush ndonjë vezë të zjerë dhe më i kapuri në ekonomi një pulë për ta ngrënë të gjithë bashkë. Kam bërë më shumë se 10 mijë operime pa llogaritur ato të voglat, flas vetëm operime të planifikuara dhe të urgjencës në sallë. Pasuria ime janë mirënjohjet pambarim që kam marrë dhe marr edhe sot si dhe informacioni shumë i pasur shkencor që ka të bëjë me llojshmërinë e ndërhyrjeve kirurgjikale. Kur them për vete, marr përsipër të flasë për të gjithë atë ekip mjekësh të asaj kohe. Pasuria jonë është eksperienca e gjatë me bisturi në dorë dhe ato janë dokument shumë i vlefshëm. Asgjë tjetër nuk na ka interesuar. Mjekësia pas vitit 1995 nisi të pësojë tatëpjetën. U prish çdo gjë. Mori fund dhe nuk shoh të ndalojë rrënimi.

Keni nisur karrierën në vitet kur spitali Durrësit vuante shumë mungesën e kirurgëve.

Tre-katër kirurgë ishim atëherë. Bëhet fjalë në fillim të vitit 1970. Bashkë me dr. Prodanin, Hotin, Zusi e Lala i bënim të gjitha operacionet: kokën, zemrën, mushkëritë, anësitë, barkun, çdo gjë. Ekipi ynë ishte shumë i paktë dhe na duhej të programonim deri në detaje çdo gjë si për ndërhyrjet e planifikuara, edhe ato të urgjencës. Ishim shumë të lidhur mes njëri-tjetrit. Asnjë hap nuk bënin pa u konsultuar. Venim shtrat më shtrat, tek pacientët, bisedonim me ta dhe në fund konsultoheshim. Dy javë bëja unë shërbimin e urgjencës dhe dy javë të tjera dr. Miri Hoti. Sigurisht ishte shumë e lodshhme, megjithatë nuk na dëgjohej zëri ankesës. Sot mjekët e rinj dhe kirurgët ndoshta e kanë të vështirë ta besojnë por më së paku ne si mjek në ato vite kemi bërë 5 roje 24-orësh në muaj dhe të nesërmen në punë, nuk bëhej fjalë për pushim. Roje në infektiv, në pediatri, pathologji, kirurgji, gjithandej, sipas grafikut. Në ato vite mungesat në paisje, aparatura, mjete, medikamente ishin të përditshme. Aparatura narkozës ishte shumë e vjetër, bënim anastezi me pika, me maskë. Vetëm pas viteve 1975 anestezia nisi të bëhej me intubim. Instrumentet ishin të pakta, materialet e qepjes për operime i përgatisnim vet, allçiun për ndërhyrje ortopedike. Konsulta dhe bashkëpunimi na ka dhënë suksesin. Të përkushtuar ishin  edhe personeli ndihmës. Kryeinfermiere kishim për shumë vite Jolanda Urumin, por ajo ishte aq e aftë dhe e dhënë pas punës saqë shpesh shërbente si asistente e parë në ndërhyrjet tona kirurgjikale. Edhe instrumentisti e anestezisti Osman Koka ishte krahu ynë i djathtë, pa seriozitetin e tij nuk mund të kishim sukses në operime. Nuk ndodhte që për diçka të thuhej e të flitej dy herë.

Kirurgjia të jep edhe kënaqësinë në rastet kur shpëtohet jeta e pacientit. Ju duhet të keni raste të tilla për t’u veçuar?

Çdo kirurg ka çfarë të tregojë pasi në dorën e tij vinë pacientë tek të cilët jeta e vdekja janë fare pranë njëra-tjetrës. Sa herë na kanë dalë djersë të ftohta, aq herë kemi fluturuar deri në qiell nga kënaqësia që kemi shpëtuar jetë njerëzish. Bistruria është instrument i mrekullueshëm. Ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë asnjëherë të lehta, sidomos në ato vite. Them në ato vite pasi nuk bëhej fjalë për skaner e rezonancë. I sëmuri hynte për apendisit dhe mund të qëndrontë në sallë për 7 apo 8 orë. Kishim aparaturën e grafisë për të parë thyerjet dhe skopi për plasje të stomakut, ngatërrim të zorrëve e të tilla problematika. Në vitin 1984 më sjellin në sallë një pacient. Më kujtohet edhe emri tij, quhej Petrit Rexhepi. Kishte pësuar çarje të zemrës, plagë me mjete shpuese. Ishte shpuar edhe ndarësja mes dy barkusheve. Gjendja qe kritike deri pa shpresën më të vogël. Për 4 ora dhashë e mora me ekipin në sallë. Asistent kisha dr. Shaban Dedej, kurse në narkozë dr. Paskal Prodani. Ia hapëm fillimisht gjoksin, pastaj nisëm të pastrojmë e të qepim zemrën. Pacienti mori shumë gjak. Pikën e konservimit të gjakut e kishim shumë të garantuar. M. Milaqi ishte shumë i kujdesshëm dhe në këtë drejtim nuk e kemi ndier fare vështirësinë. Rasti tjetër po me shpim të zemrës i përket vitit 1987, një burrë nga Gosa e Kavajës, Hajrulla Balliu. I ishte çarë njëri mur i zemrës dhe mjeti shpues kishte hyrë në zemër 2 cm. Pacienti shpëtoi mrekullisht pas operimit. Por mua më është dashur të realizoj në Durrës edhe ndërhyrjen e parë kirurgjikale për ngatërrim zorrësh. Ishte rasti i dytë apo i tretë në Shqipëri.  Ishte viti 1974 dhe pacienti quhej Bajram Meçe nga Pat Miloti Kavajës. E mora guximin pasi pacienti nuk premtonte të transportohej, ndërsa, edhe pse vetëm dy vite me parë kisha përfunduar specializimin për kirurg, besimin tek vetja e kisha të plotë. Meçe disa vite më parë pati bërë edhe dy operimi dhe ky ishte i treti. Treguesit ishin të dobtë, zorrët të ngjitura plotësisht. Në fund të fundit ia dola mbanë. Kam pasur fatin të bëj ndër të parat operime në zemër dhe të parin për ngatërrim zorësh.Dalja me sukses më ka nxitur dhe më ka dhënë shumë kurajo në punë. Por ndërhyrje kirurgjikale na ëshët dashur të bëjmë edhe në gjinekologji. Avantazhi ynë ishte besimi që kishte familja dhe vet pacienti tek mjeku, tek kirurgu. Pacienti i bindej me ndërgjegje të plotë e të patër edhe infermieres, edhe ndihmësmjekut. Kjo na ndihmonte shumë. Vërtetë aparatin e narkozës e kishim çek e të vjetër, mungonin instrumente e pasije, por ishim të përkushtuar në maksimum. Instrumentet kineze erdhën pas viteve 70 dhe na është dashur të punojmë me ato ruse duke bërë sterilizim pas sterilizimi vite e vite me rradhë. Kam bërë më shumë se 10 mijë operime pa përfshirë këtu ndërhyrjet e vogla, fatmirësisht të gjitha me rezultat.

Prindërit

Bashkim Habibi ka shumë kujtime nga prindërit të cilat kanë ndikuar në krijimin e karakterit të fortë tek ai. Tani që kirurgu po shkon drejt të 70-ve kujton se tek prindërit ka parë modelin e një kurore të shëndetshme të cilën e ruajtën të pastër pavarësisht kombësisë së cilës i përkisnin. Jeta për prindërit e Habibit nuk ka qenë fare e lehtë. I ati, Bajaziti, pasi kreu studimet e larta, shërbeu si specialist në bujqësi në Kosovë. Përgjithësisht në Fushë Kosovë, jo shumë larg nga Prishtina, atje ku edhe njihet me gruan e tij të ardshhme e cila kishte kombësi serbe. Tre fëmijët e kësaj kurore, Bashkimi, Vera, Ermiri janë dëshmitarë se si prindërit arritën të përballonin periudha jo vetëm të vështira, por deri edhe dramatike. Prishja e marrëdhënive diplomatike me ish Jugosllavinë do të trondisnin jo pak jetën e prindërve të dr. Habibit. E ëma vendosi të qëndrojë pranë të shoqit dhe fëmijëve. Për më shumë se 20 vite nuk mundi të vizitojë më vendin ku kishte lindur. Për të parën herë nëna me origjinë serbe do të vizitojë vendin e lindjes në vitin 1980 pas një vize. Hoxha e Vogël, vendi ku u lind dhe që në vitet e luftës për çlirimin e Kosovës 1997, u dogj e u masakrua, ishte po ai fshat i vogël, me po ato rrugica. Por atje ajo nuk gjeti asnjërin nga prindërit dhe kjo dhembje e ky peng do të bëhet disa herë objekt në bisedat familjare të Bajazit Habibit. Djali tyre, Bashkimi, që sot është në pension, vlerëson sakrificën e të dy prindërve, kurora e të cilëve nuk u cënua për asnjë lloj arsye edhe pse çifte me të tilla histori vetjake bëheshin objekt survejimi nga regjimi i kohës. Prej tyre Bashkimi thotë se ka marrë disa cilësi si: ndjesia njerëzore për këdo; vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund gjërave; vlerësimi i punës; korrektesa… Shumë siklete kanë hequr si i ati edhe e ëma, megjithatë ata ia dolën mbanë.  Edhe vet dr. Habibi është detyruar të kapërcejë jo pak telashe dhe sakrifica për të mbijetuar në periudhën e regjimit të kaluar. Fëmijët e tij janë nipër tek Edison e Eduart Ypi, familje kjo e përndjekur dhe e persekutuar keqas në sitemin komunist. Ashtu si dhe prindërit, çifti Bashkim dhe Dezdemona bënë të gjitha përpjekjet për të mbijetuar. Ata kanë një vajzë e cila quhet Anila dhe që jeton në Berlin të Gjermanisë. Atje Anila Wilms ka botuar dy libra: “Pritje të bukurra” dhe “Vrasje në rrugën e Veriut”, duke fituar 4 çmime. Por edhe djali familjes, Bernardi pasi përfundoi studimet e larta për Informatikë jeton në Berlin, specialit në komopani prestigjoze gjermane. Habibi është mjaft i kënaqur me ecurinë e fëmijëve dhe kjo e bën atë të harrojë vitet e vuajtjeve dhe sidomos presionin e fortë psikologjik të ushtruar ndaj tij dhe familjes për shkak të perskutimit që i bëhej familjes Ypi.

Historiku spitaleve të Durrësit, libër i rrallë me shumë peshë

Dr. Bashkim Habibi është i vetmi nga bluzat e bardha që ka marrë nismën për të botuar historikun e spitaleve të Durrësit. Hobi i tij prej vitesh ka qenë dhe mbetet fotografia, aparati fotografik. Por kirurgu gjatë gjithë jetës ka pasur edhe një karakteristikë tjetër, ai ka qenë dhe është shumë korrekt në ruajtjen e kartelave, statistikave, shënimeve, të dhënave të ndryshme që më pas iu deshëm edhe për të mbrojtur tema në seminare e simpoziume shkencore. Pikërisht modeli punës së tij dhe aparati që nuk e ndau asnjëherë nga dora, duke fiksuar dhjetra e qindra imazhe të shumëllojshme, kanë qenë edhe shtysa kryesore për të ndërmarrë nismën për të botuar historikun e spitaleve të Durrësit. Saktësisht libri është promovuar nga biblioteka e qytetit të Durrësit me një audiencë mjaft të mirë intelektuale, në mesin e të cilëve ka pasur edhe poetë, prozatorë, studiues, kritikë, historianë. Botimi është përballuar nga të ardhurat e veta, ndërsa ka marrë përgëzime të shumta nga mjekë, familjarë të mjëkëve dhe personelit ndihmës, studiues, por në asnjë  rast nga institucionet të mjekësisë lokale apo qendrore. Doktori nuk e ka komentuar fare dhe as është treguar i interesuar të mësojë përse një heshtje e tillë zyrtare për të përgëzuar një nismë të tillë. Kirurgut i është dashur më shumë se tre vite punë e përpjekje në mbledhjen e të dhënave për të sistemuar historikun  Janë më shumë se 500 mjekë e ndihmësmjekë që kanë zënë vend në këtë libër. “Të dhënat janë autentike, asgjë nga vetja, përgjithësisht nga familjarët, dokumentet që ata kanë ruajtur, burimet e bibliotekës së Durrësit dhe sidomos ndihma e afruar nga studiuesit e historianët Skënder Lila, Hasan Ulqini dhe Moikom Zeqo”,-ka thënë autori  i librit. Por dr. Habibi thotë si ndihet i obliguar sidomos ndaj përkushtimit shumë të madh të ndihmësmjekut Agim Dule i cili shkoi derë më derë në familjet e mjekëve si dhe po kaq i obliguar edhe ndaj bashkëshortes Dezdemona Habibi, mjeke higjeniste, e cila veç mbështetjes dhe përkrahjes bashkëpunoi për të sistemuar çdo material. Mjeku është ulur me orë e ditë të tëra para internetit dhe që aty ka mundur të marrë edhe adresa e-maili nga të afërm dhe familjarë të mjekëve të huaj. Falë kulturës dhe njohjes së gjuhës ruse, frenge, italiane, dr. Habibi nuk e pati të vështirë të vendoste kontakte dhe përmes internetit të merrte edhe faksimile dhe të dhëna deri interesante që kanë ardhur nga Italia, Greqia, Franca, Kanadaja, Amerika, Zelanda …Janë 467 faqe të cilat kanë në brendësi të tyre historikun e shërbimit shëndetësor në Durrës nga shekulli 2 p.e.s deri në ditët tona dhe që ka ndjekur rrugën e përshkrimit kronologjik deri në vitin 1954 dhe atë të sistemimit sipas shërbimeve pas këtij viti deri më sot. Të gjitha të dhënat janë burime të sakta, të dokumentuara, të kaluara në skaner. Libri veç të dhënave historike ka brenda edhe shumë shënime kurajoze duke e bërë atë të lexueshëm e të pëlqyer për të gjitha nivelet shoqërore përsa i përket interesave dhe kulturës arsimore të lexuesit. Kështu aty ka të dhëna se kur është hapur spitali i parë, sa shtretër kishte, cilët ishin mjekët e parë; të dhëna se cilët kanë qenë drejtuesit e spitaleve; shkollimet dhe detaje personale interesante të mjekëve; data e vite pambarim të hapjses së shërbimeve të reja; kultura jo vetëm profesionale e personazheve të librit, por edhe detaje përtej saj për të shuar kureshtjen etj. Libri në pjesën e dytë, nëse do të mund ta klasifikojmë si të tillë kohën pas vitit 1954, i merr gjërat me rradhë duke përshkruar çdo gjë lidhur me shërbimet e: administratës, alergiologjisë, anatomisë patologjike, anestezi-reanimacionit, dermatologjisë, endokrinologjisë, gastrohepatologjisë, hematologjisë, infektivit, kardiologjisë, kartotekës, konservimit të gjakut, laboratorit, maksilofacilit, nefrologjisë, okulistikës, ORL, ortopedi-traumatologjisë, patologjisë, pediatrisë, pranim-urgjencës, radiologji-imazherisë, reumatologjisë dhe urologjisë.  Libri është promovuar në Durrës me 18 janar 2013 me nismë të bibliotekës së Durrësit.

*Sqarim:  Për shkak të një problemi janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, gazetari që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!