Ish-kandidati i koalicionit ‘Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërisë Madhështore’, për qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar numrin e saktë të votave të marra nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kalaja kundërshton vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të mos rinumëruar kutitë e votimit të Durrës. Kalaja ka pretenduar se po të numëroheshin të gjitha kutitë që nuk u hapën qëllimisht nga KAS dhe KQZ, duke fshirë të dhënat e vendimit që morën për 290 kuti dhe hapën vetëm 152 prej tyre, rezultati mund të sjellë ndryshim mandatesh brenda partisë.
“Ekskluzivitetin për të parë sesa vota ka marrë kandidati e ka vetëm subjekti politik. Kam qenë në Kolegjin Zgjedhor dhe nuk jam legjitimuar, e kam humbur çështjen me rezultatin 4 me 1. Ka pasur pakicë në çështjen time.
Këta gjyqtarë që kanë refuzuar të interpretojnë Konventën Evropiane, praktikën e Gjykatës së Strasburgut dhe atë të Komisionit të Venecias, vendosën që unë mos të merrja vesh sesa vota kam marrë.
Unë jam këtu sot për të zgjidhur padrejtësinë që më ka ndodhur nga qendra e votimit, nga KZAZ, nga KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor. Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet. Unë mund të mos kandidoj më, por do jetë një tjetër kandidat që duhet ta ketë këtë armë. Jam këtu sot për të shfuqizuar këtë nen të Kodit Zgjedhor që i pamundëson kandidatit ankimimin administrativ dhe zgjedhor, dhe ky kod zgjedhor duhet hedhur në kosh të mbeturinave.
Gjykata Kushtetuese detyron Kolegjin Zgjedhor që të rishqyrtojë dhe njëherë çështjen time, që domethënë të më legjitimojë mua si kandidat për të parë sesa vota kam marrë. Jam shumë i bindur që do të fitoj në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ia kemi deleguar shpirtin partisë. Hapi i radhës do të jetë gjykata e Strasburgut”, tha Kalaja.







