Ballina Dossier Doktor Nikolla Jorgoni: Aparati tensionit ishte luks në çantën e mjekut.

Doktor Nikolla Jorgoni: Aparati tensionit ishte luks në çantën e mjekut.

313
0

Bulevard news*

“Që nga viti 1956 kam ecur me biçikletë dhe deri në vdekje do të ecë me të. Kolegët e mi kanë vila, hotele, restorante. Nuk bëhem xheloz. Aspak. Nuk më josh një gjë e tillë. Ata që kanë abuzuar një ditë do të pendohen, do i vrasë ndërgjegja”

Bluza e bardhë e mjekut

Ka gjysëm shekulli me bluzën e bardhe të mjekut. Regjimi ditor i doktor Nikolla Jorgoni vazdhon të jetë po ai i viteve 60 të shekullit të kaluar. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim. Zgjohet në të njëjtën orë. Përshkon rrugicën e lagjes përherë me të njëjtin ritëm hapash. Përshendetet me qytetarët. Pi kafen në lokalin fare pranë qendrës humanitare dhe ngjet shkallët herë i shoqëruar nga besimtarë e pacientë dhe herë nga kolegë. Flet me pasion për profesionin e mjekut, kujton episode me ndodhi të bukura e të hidhura të jetës së tij e të familjes si dhe ka dëshirë të madhe të lexojë vargje me poezi të shkruara. Karrierë të gjatë e të pasur me bluzën e bardhë. Nikolla Jorgoni e nisi profesionin në një kohë kur në Durrës shërbimi mjekësor kishte shumë nevojë për mjek të arsimuar. Dëshira dhe pasioni për të veshur sa më parë bluzën e bardhë në shërbim të bashkëqytetarëve gjeti mbështetjen nga mjekët me përvojë dhe të arsimuar kryesisht jashtë vendi, por edhe në Tiranë. Vite më pas, dr. Jorgoni do e quajë veten me fat që pati mundësi të ishte koleg dhe të ushtronte të njëjtin profesion si dhe dr. Eleni Andruci, dr. Muhamet Agolli, dr. Anagnosti, dr. Treska kirurg, dr Lluka Dhimitri, dr Vokopola, dr. Koço Moisiu, dr. Remzi Fica. Universitet i dytë për Jorgonin do të jetë periudha dhe përvoja e fituar nga ky kontigjent mjekësh, vullneti dhe korrektesa e të cilëve nuk mund të mos linin gjurmë të forta në kulturën e punës tek mjekët e rinj. Për pesëmbëdhjetë vite iu përkushtuar ngritjes dhe konsolidimit të shërbimit të urgjencës, 10 vite mjek familje, shërbim në vite pranë spitalit dhe së fundi në shërbim të një shoqate bamirëse fetare. 47 vite me pacientët. Që nga viti 2003 e deri më tani është mjaft aktiv tek shoqata amerikan mjekësore evangjelist FAME, aty ku kryhen vizita gradis për të gjithë besimtarët e kishës. Për merita qytetare, formim profesional në shërbim të qytetit shoqata “Durrësi” e ka zgjedhur anëtar të kryesisë dhe në bashkëpunim me bashkinë e ka nderuar me titullin “Qytetar nderi”. Krahas gatishmërisë në shërbimin si mjek, dr. Jorgoni është autor dhe pjesmarrës në një sërë konferenca shkencore. Pesë vite pasi ka kryer studimet mban referatin shkencor në simpoziume mjeksore “Emocionet e sportistit dhe autosugjestioni”. Një nismë e tillë i dha shtysë për të referuar temat e tjera të shoqëruar nga kureshtja e kolegëve: Struma në rrethin e Durrësit (debistimi shkollave); Ndihma e parë dhe mjeku urgjencës; Një veprim parandalues gjatë përdorimit të morfinës; Diskordancat e diagnozave poliklinikë-spital; Indoksikacioni me alkool metalik që është botuar (me bashkautor) në revistën Mjeksore. Sesiona shkencore organizoheshin së paku një herë në 2 vite në Tiranë në nivel kombëtar dhe dr. Jorgoni ishte gjithnjë pjesmarrës.

 Ia arriti qëllimit…

Poliklinka shërbente deri në ora 18 dhe mbyllej. Mjekët punonin në spital nga mëngjesi deri në ora 11 dhe më pas shërbernin edhe për 4 orë të tjera në poliklinikë. Pasditja ishte e zbuluar. Qyteti sa vinte dhe rritej si popullësi. Në poliklinikë punohej me numra, tetë të tillë çdo mjek. Shumë urgjenca në banesë mbeteshin të zbuluara dhe që kërkonin ndër4hyrje e zgjidhje. Duke qenë mjeku më i ri dhe banorë i qytetit u caktua të shërbente në banesë. Kishte nevojë shërbimi urgjencës pasi kishte raste të panumërta të kërkesave për ndërhyrje emenrgjente nëpër shtëpitë e qytetarëve. Një autoambulancë ishte ën 24 orë, fare pak për të përballuar kërkesat. Mjete për të dërguar mjekët në shtëpitë e qytetarëve, apo edhe për të transportuar urgjenca nuk kishte. Kështu lindi nevoja e krijimit të urgjencës. Shërbimin në banesë dr. Nikolla Jorgoni e kryente me biçikletë, me çantën e mjekut të mbushur me medikamente. Lagjet, rrugët, rrugicat ishin shumë të njohura për doktorin e ri Jorgoni. E tërë fëmijëria dhe rinia i kishte kaluar duke shëtitur e lozur nëpër rrugicat e qytetit. Vizitat që do bëheshin në ambulancë, kryeheshin në  banesë. Jo pak vështirësi në ditët e para. Kështu nisi krijimi shërbimit më vete të urgjencës, domosdoshmëri që erdhi e u bë e pashmangshme me rritjen e kërkesave. Urgjenca funksiononte deri në ora 22, kohë më pas deri në mesnatë dhe nuk vonoi ndarja më vete e këtij shërbimi për të funksionuar pa ndërprerje në 24 orë. Fillimisht ishte një mjek, dr. Jorgoni. Më pas me një ndërresë dhe me vendosjen e regjimit të shërbimit pa ndërprerë u bënë dy mjek. Pas orës 22 në urgjencë shërbenin edhe mjekët e spitalit, pavarësisht specialitetit që mbulonin secili. Kishte mjek të syve, veshëve, veshkave, zemrës, pediatër, të përgjitshhëm etj. Kaloi disa vite deri në konsolidimin e shërbimit të urgjencës me mjek, paisje, laborator, mjete transporti. Diku rreth viteve 1978- 1979 urgjenca mori fizionomi të plotë.

Episode nderimi dhe …

Disa vite më pas, më 1968, transferohet mjek në Rrogozhnë, në hekurudhën Rrogozhinë-Fier, mjek në sektorin e Lushnjes, pëërvojë të cilën dr. Jorgoni e ka veçuar si ndër më emocionueset ngase atje ka njohur të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria. Qyteti Lushnjes nuk kishte mjek për banorët pas orës 16 ndaj dr. Jorgoni, paralelisht me kujdesin shëndetësor për të rinjtë aksionistë të hekurudhës, kryente vizita edhe për pacientët e qytetit. Për një shërbim të tillë Lushnja, propozoi dhe dërgoi në Durrës stimulin moral, për të nderuar mjekun e pasionuar pas shërbimit mjeksor, nderim që nuk ia dhanë kurrë. Edhe mjeku Jorgoni nuk këmbënguli kurrë për të kërkuar arsyet lidhur me atë që kishte ndodhur ngase ishte i bindur për përgjigjen që e priste. Nuk e kishte çuar asnjëherë në mendje të fshihte të kaluarën e biografisë politike. Dr. Jorgoni ndihej shumë krenar për të atin jo vetëm për shkak se ishte prindi tij, por edhe për nivelin arsimor dhe kulturën gjyhësore të të atit, ndërsa e kuptonte më së miri persekutimin e klasës intelektuale të kohës së pasçlirimit. Rikthimi në Durrës, dy vite më pas, e sjell me një përvojë të re. Vendoset sërish tek urgjenca. Spercializimi për endokrinologji, i dha shtysë njohjes së tij për kurimin e gjendrave tiroide dhe diabetit. Dy vite kryente konsultat e të gjithë rrethit në Durrës, si mjek i pavarur. Në vitin 1975 drejtori sopitalit e dërgon në Lekaj, fshat në Kavajë dhe në vendin e Jorgonit dërgohet dikush tjetër për t’u specializuar, një mjek i ri dhe pa përvojë. Arsyeja ishte përsëri biografia. Loja për ta zëvendësuar ishte kurdisur në zyrat politike të spitalit dhe drejtorisë spitalore, ndërsa dr. Jorgoni u përpoq të mbijetonte duke pranuar të shkojë në Lekaj si dhe duke deklaruar njëherazi se pasdite do të shërbente në specialitetin për të cilin ishte kualifikuar. U shërben banorëve në Lekaj për tre vite dhe pas kësaj kohe rikthehet në qytetin e tij në vitin 1978. Bluzat e bardha e kishin për zemër kolegun Jorgoni dhe nën zë shpreheshin të pakënaqur për atë që kurdisnin me të padrejtë. Atë që ndodhte lidhur me ndëshkimet e tërthorta dhe me klimën jo të këndshme politike rreth tij dr. Nikolla Jorgoni i bisedonte vetëm në familje. Ishte i bindur se çdo ankesë në mjedise të tjera, pse jo edhe mes kolegësh, do i kushtonte. Përvoja e hidhur me jetën dhe fatin e të atit e kishte edukuar atë dhe pjestarët e familjes së tij të qëndonte me gojën e kyçur, të bindur se në asnjë rast nuk do të mund të fitonin të drejtën. Bashkëshortja ishte specialiste duhani në fabrikën e Durrësit. Shoqet e saj dilnin jashtë vendi për kualifikim, ndërsa ajo nuk e pati kurrë atë fat dhe aryesja dihej. Nënkryetari i degës së brendshme në Durrës kishte shkuar deri atje saqë ishte shprehur se nxjerrja jashtë shtetit e saj ishte e pagarantuar dhe se ajo mund të arratisej me rastin e parë. Ndaj bashkëshortja e kuptonte shumë mirë arsyen pse të shoqin ia sorollatnin sa andej-këndej. Vitet e përvojës së gjatë i dhanë të gjitha aftësitë dhe bindën drejtuesit e shëndetit për t’ia besuar shërbimin e urgjencës në vitin 1978. Që nga ky vit do të ishte përgjegjës në urgjencë deri në vitin 1990. Ndërsa vitet ecnin, e mbyll pozicionin e përgjegjësit për të kaluar si mjek familje deri në vitin 2001, kohë e daljes në pension.

Ndëshkimi

Menella Jorgoni, babai dr. Nikolla Jorgonit ka përfunduar shkollën greke në vitin 1905. Të mesmën e kreu në Rumani dhe të lartën në Leçe të Italisë. Kjo i dha mundësi të mësojë greqisht, rumanisht, italisht, frengjisht dhe gjermanisht. Shërbeu doganier në Sarandë e së fundi në Durrës. Punëtori i të atit pas çlirimit të vendit u bë njeri i madh, me pushtet. Pozicionet u përmbysën, babai që ishte doganier, u rrëzua, kurse punëtori hamall në port u ngjit në pozitë. Shtresa e arsimuar nisi të shihej me sy të keq. Aristokracia e krijuar bënte jetë të zgjedhur, shkëmbente mendime për shumë fusha të jetës nga politika e filozofia deri tek profesionet e specialitetet. Krahas punës, pinin kafe në vapora të transportit të mallrave dhe njerëzve. Hamalli u bë zyrtarë në Durrës në pozita të larta politike dhe ekzekutive, kurse doganieri, i ati doktorit, u etiketua i padëshiruar, borgjez dhe person i dyshimtë për klasën e re politike në Shqipëri. Deklarime të tilla u pritën keq dhe e nxitën ish doganierin të reagojë duke i kujtuar funksionarit të ri se ishte pikërisht ky i fundit i veshur me këmishën e zezë dhe bashkë më disa të rinj nga Durrësi shkuan në Bandila të Italisë për pushime si shpërblim i shërbimit të kryer ndaj fashistëve. Këtu nisi edhe ndëshkimi i pashmangshëm për doganierin i cili përfundoi punëtor në NISH Tulla, NISH Goma dhe ndërmarrjen e rrugëve edhe pse ishte i arsimuar dhe njihte disa gjuhë. Kështu e përfundoi edhe jetën. Bëri “sabotim”, bëri edhe burg. Burgimin e parë e vuajti me 4 vite heqje lirie, kurse prangosja për të dytën herë do t’i kushtojë 5 vite izolim. E dënuan për agjitacion dhe propagandë pasi sa herë që e pyesnin të rinjtë e këtyre ndërmarrjeve për jetën rinisë në Itali, Rumani, Poloni u tregonte gjithçka kishte parë, pa u merakosur për ndëshkimin. I pashmangshëm burgimi dhe jetën e mbyll në mënyrën më të keqe ndonëse nuk kishte as edhe më të voglën fajësi. Nuk u persekutua si arumun. E vetmja arsye ishte dituria, kultura e gjerë, komunikimi me të huaj. Xhaxhai doktorit, Jorgji Jorgoni ka qenë mjek. Në kohën e pushtimit gjerman e futën në burg dhe ishte gati në të pushkatuar. Një ditë para ekzekutimit, bashkë me disa të tjerë të burgosur, arratiset dhe del në mal duke iu bashkuar forcave partizane në shtabin e Enver Hoxhës.

Mbesa e bën poet

Ka nisur të shkruajë edhe poezi. Ishte frika që e shtyu mjekun të merrte lapsin si poet, me të lindur mbesa. Dyshimet se ndoshta do të vdiste dhe mbesa nuk do e mbante mend dashurinë e madhe që ndjeu me ardhjen e saj në jetë, nxiti tek doktori Jorgoni ndjesinë e krijuesit. Prova ka dhënë efekte pasi prej vitesh sistemon vargje dhe i ruan me kujdesin më të madh. Ka dëshirë të i lexojë poezitë. Mbesa erdhi në jetë ditën e krishtlinjdes dhe që nga ai çast çdo gjë në jetën e familjes së tij mori ngjyrën festive. Janë aq shumë poezitë, saqë lehtësisht gatuhet një e dy vëllime. Nga ato kushtuar klasës së parë, mësueses, prindërve, kolegëve dhe deri tek tematika filozofike, morali shoqëror e fetar. Herë me rimë dhe herë pa rime. Shpesh me rrokje tingëllore, por edhe pa ritëm. Biblioteka e doktor Jorgonit ka gjithëfarë veprash: historike, politike, letrare, akademike, publicistikë, fe…Tani që shërben në një qendër humanitare bën vizita mjeksore, interesohet për besimtarët e kishës, bisedon për ekonominë familjare dhe së fundi u lutet të dëgjojnë disa poezi. Dhe nis e lexon, reciton, interpreton me shumë seriozitet.

Intervista 

Është vështirë të shërbesh në repartin e urgjencës dhe sidomos në orët e natës, kohë që ishte thuajse e pamundur të kryhej konsultë me kolegë specialistë?

Shumë, shumë vështirë të ishe përgjegjës urgjence. Bëja tre turne, duke mos kërkuar asnjë lloj favori. Sot shefat punojnë vetëm turni i parë. Një repart shërbimi i tillë ka një sërë vështirësish. Ke të bësh që nga fëmija deri tek më i moshuari; që nga nxënësi shkollës deri tek pensionisti. Ishin bashkë të gjitha shërbimet, shërbimi urgjencës nuk ishte i ndarë. Nga ana profesionale kërkonte përgatitje të jashtëzakonshme. Nëse një mjek do të bëhet specialist i mirë, të provojë shërbimin në urgjencë. Aty kryeshin të gjitha: pediatri, kirurgji, kardiologji, neurologji, okulist… Duhej përgatitje, intuitë, zgjuarsi pasi sëmundjet ishin të gjithëfarëllojshme. Mjekët specialist ishin me pakicë dhe ata kërkoheshin në urgjencë sipas rasteve të cilat duhej të ishin shumë serioze. Ballafaqimi me të sëmurin në banesë dhe në urgjencë ishte prova e parë e mjekut të urgjencës dhe kjo kërkonte veprim të shpejtë dhe sa më të saktë. Vinin me kriza të ndryshme, hypertension, hemoragji, plagë, parainfarkt, trauma të ndryshme, çarje stomaku, apendisit, ngatërrim të zorrëve, gra shtatzëna…Pra të gjitha llojet e sëmundjeve.

Cila ishte gjendja e inventarit të medikamenteve bazë në shërbimin e urgjencës?

Kishte mangësi në ilaçe. Kjo dihej si nga ne edhe nga personeli ndihmës. Vepronim me ato ilaçe që kishim. Paisje nuk kishim thuajse fare. Mungonin të gjitha aparaturat. Edhe aparat tensioni nuk kishim në fillim fare. Po të kishe aparat tensioni në ato vite ishte luks. Nuk blihej në farmaci, nuk gjendej, ishin me pakicë. Një herë mbaj mend se kisha gjyshen time me tension të lartë. Çohem në mes të natës, shkova në poliklinikë për të marrë aparat tensioni se unë si mjek nuk e kisha këtë aparat në shtëpi. Vetëm një të tillë në urgjencë. Kishte mjek që e kërkonte me këmbëngulje dhe ne i thonim: “Hajde bë ti urgjencën, aty e ke aparatin”. Me të marrë njoftimin se një qytetar në banesë ka nevojë për ndihmë, nxitoja tek ambulanca për të marrë aparatin e tensionit dhe e ktheja aty sapo përfundoja vizitën. Shiringat i kishim me të zier, jo njëpërdorimshe. Sterelizimin e kishim me xhama jo si sot. Ishte një periudhë e vështirë e furnizimit me ilaçe. Na këshillonin që kur bënim urgjencë në banesë, t’u lëshonim recetë me qëllim që ata t’i blinin në farmaci dhe shëndetësia të mos shpenzonte medikamentët që ishin me pakicë. Kështu kursenim ilaçet e reparit të urgjencës të cilat, edhe pse i kishim në çnatë, nuk i përdornim dot. Në një mbledhje analizë pune më raportoi infermierja ime me të cilën shkoja në banesë në rast urgjence. Kërkoi me këmbëngulje fjalën dhe pasi u ngrit në këmbë, pa më vënë mua në diejni për sa do të filiste dhe për sa do të ankohej, u thotë drejtuesve të shërbimit të shëndetit që unë i bëja nga çanta urgjencës injeksione pacientëve në banesë.

Merrnit shpërblim në rastet e shërbimit në banesë, pra jeni paguar nga familjarët?

Asgjë, asnjëherë. E vetmja gjë që kemi marrë, unë dhe mjekët e Durrësit, është respekti qytetar. Mbaj mend se si arrita të shpëtoja një grua me ngjyrë. Kishte pësuar vdekje klinike. Në mos gaboj ka qenë viti 1976. Më vinë ndërmend edhe sot thirrjet e familjarëve dhe të infermiereve që më kërkonin ndihmë duke bëritur “Vdiq, vdiq, doktor!”  Qëllova rastësisht aty pasi kisha shkuar në spital për të parë një të sëmurë. Pasi dëgjova ulërimat dhe lutjet u futa në dhomën e të sëmurës. Pacintja po nxihej dhe nuk merrte dot frymë. Nuk mendova tjetër veçse t’i bëja frymëmarrje gojë më gojë. Erdhi në jetë, u përmend. Pas ca ditësh vjen i shoqi saj e më sjell një qingj. Nuk e pranova. Kanë qenë disa dëshmitarë të bisedës mes nesh. E binda përfundimisht qytetarin të kthehej në shtëpi dhe t’ia dërgonte fëmijëve qingjin. Nuk perceptohej marrja rushfetit në atë kohë. Nuk ngatërroheshim me njerëzit për të pirë birrë apo për të ngrënë dreka.

Ka akuza për bluzat e bardha për marje rushfeti dhe shërbim kundrejt shpërblimit.

Këtë punë e prishi leku. Leku prishi njerëzit. Më parë bëhej punë më e pastër dhe më e ndërgjegjshme. Kam një shtëpi që të gjithë thonë se si ka mundësi që unë jetoj në atë shtëpi të shtetit, një ish magazinë duhani e modifikuar dhe me shumë lagështi. Sot nuk mund të blejë banesë. Nuk kam makinë. Diplomën e kemi marrë me shumë punë. E shfrytëzonim kohën. Fare pak frekuentonim kinematë, futbollin, pallatet e sportit, baret, restorantet. Flinim me libra. Më thonin shokët të dilnim shëtitje. Shpesh herë kundërshtoja. Më duhej të mësoja. Ishim katër fëmijë, tre vëllezër e një motër. U rritëm me sakrificë dhe marrja diplomës ishte qëllimi i vetëm. Kam shitur perime, kumbulla, misra të pjekura tek trenit, i shisnim të ngrohta misrat. Pasagjerët blinin. Vinin nga Tirana, shkonin në Elbasan. Kam punuar edhe fëmijë, edhe i ri për të ndihmuar familjen. E kisha për kënaqësi dhe nderim të ndihmoja shtëpinë. Që nga viti 1956 kam ecur me biçikletë dhe deri në vdekje do të ecë me të. Kolegët e mi kanë vila, hotele, restorante. Nuk bëhem xheloz. Aspak. Nuk më josh një gjë e tillë. Ata që kanë abuzuar një ditë do të pendohen, do i vrasë ndërgjegja. Shembujt janë. Çuditem kur dëgjoj se si janë degraduar një pjesë e mjekëve. Kam dëgjuar që marrin lekë për operim, unë nuk jam më në spital dhe e kam të vështira ta besoj. E kam ruajtur me të gjithë ndershmërinë time betimin e mjekut. Mjeku edhe gabon, por gabimet nuk duhet t’i bëjnë dëm të sëmurit. Shëndeti të sëmurit është çdo gjë. Shërbimi mjeksor çalon. Ne ndryshojmë nga vendet e tjera. Korrupsioni është përfitim i dikuj, i një grupi të vogël dhe dëm për pjesën tjetër. Ndikon në këtë drejtim edukata familjare, kultura personale dhe shoqërore. Një vëlla imi ka shërbyer si veteriner. tjetri inxhinier, unë mjek. Jemi prirur nga korrektesa dhe djersa e punës sonë. Vëllanë tim inxhinier e pushuan nga puna dhe e fitoi të drejtën me gjyq. E pushuan se ndëshkoi lidhjet e personave në NISH elektrik me pronarë të hoteleve. Të gjitha hotelet dhe restorantet në plazh, rreth 50 prej tyre kishin lidhje të dyfishtë.

 

Në vitin 1953 ka kryer arsimin 7- vjeçar “Maliq Muça” Durrës

1953- 1956 shkolla mjeksore, ndihmësmjek konviktor Tiranë

1956 nis punën si kryeinfermier i pavionit të burrave në spitalin e Durrësit

1960-1965 Fakulteti i Mjekësisë Tiranë, mjek i përgjitshhëem

1965 mjek në spitalin e Durrësit

1966 në poliklinikën e qytetit

1971 specializim në Tiranë për endokrinologjinë

1978 i pari përgjegjës i urgjencës spitalore

Mjek në spitalin e Durrësit, hekurudhën Rrogozhinë-Fier, Lushnje, Kavajë

Mjek i shoqatës evangjeliste

Sqarim*: Për shkak të një problem, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!