Skena e gurtë e kalasë së Gjirokastrës, mirëpriti një grup instrumentistësh nga Kosova. Trio instrumentale e përbërë nga Rinor Aliu, pianist, Arjeta Krosa, flaut dhe Eliona Raqi, violinë shfaqi në fundjavë një koncert në mjediset e kalasë së Argjiros.
Koncerti i instrumentistëve nga Kosova u ndoq me interes nga artdashësit. Mes emocionesh artistët shprehën dëshirën për tu rikthyer sërish me aktivitete të tjera kulturore.
“Me prezencën e publikut u pa një pozitivitet ndaj nesh sigurisht që presim edhe në një të ardhme të marrim pjesë sërish në qytetin e Gjirokastrës”, tha Rinor Aliu, pianist.
“Për mua ishte hera e parë që interpretova në kalanë e Gjirokastrës, ishte vërtet një kënaqësi e madhe të performojmë bashkë me miqtë e mi, performuam vepra nga periudha të ndryshme, nga kompozitorë të ndryshëm”, u shpreh Arjeta Krosa, flautiste.
Përgjatë sezonit artistik të vjeshtës në Gjirokastër po organizohen aktivitete kulturore, të cilat tërheqin edhe turistët që vazhdojnë të vizitojnë qytetin e gurtë.







