Ballina Politika Liria e shtypit në rënie: OSBE/ODIHR ngre alarmin për varësinë e mediave...

Liria e shtypit në rënie: OSBE/ODIHR ngre alarmin për varësinë e mediave shqiptare nga qeveria

86
0

Gjendja e medias në Shqipëri paraqitet problematike, me institucione mediatike jo të pavarura, gazetarë nën presion dhe akses të kufizuar në informacion. Këto gjetje alarmante, të bazuara në raportin e fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet, u theksuan gjatë një diskutimi publik në Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit mbajtur sot në Tiranë (29.10), duke nxjerrë në pah një regres të thellë në fushën e lirisë së shtypit.

Raporti i OSBE/ODIHR ngre shqetësime serioze, duke theksuar se shumica dërrmuese e mediave në vend perceptohen si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet. Ky dokument ndërkombëtar bën thirrje për marrjen e masave urgjente për të mbrojtur autonominë editoriale nga ndikimet politike.

Vëmendje e veçantë i kushtohet Televizionit Publik Shqiptar dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), të cilat, sipas raportit, nuk gëzojnë pavarësi faktike. Argumentohet se këto dy institucione kyçe janë qartësisht të varura, me influencë politike dhe të orientuara në mbështetje të linjës editoriale të qeverisë.

Situata për gazetarët në terren përshkruhet si tejet e vështirë. Ata përballen jo vetëm me sulme të përsëritura verbale, por edhe me sulme fizike, madje edhe nga zyrtarë publikë. Një tjetër problem madhor është aksesi gjithmonë e më i kufizuar te përfaqësuesit e qeverisë, përfshirë kryeministrin.

Gazetarët raportojnë një rënie të numrit të konferencave për shtyp dhe pengesa për të marrë pjesë në to, çka e bën punën e tyre për informimin e publikut edhe më sfiduese.

Një pikë kritike e përmendur është ngritja e agjencisë së mediave pranë zyrës së kryeministrit. Ky mekanizëm vlerësohet se ka kufizuar informacionin e lirë për qytetarët dhe ka shërbyer për të koordinuar dhe transmetuar një mesazh të njësuar pro-qeveritar, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore.

Në kuadër të debatit, u theksua se presioni ndaj gazetarëve ushtrohet edhe përmes padive gjyqësore të tipit SLAPP (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), të cilat vijnë nga ana e qeverisë dhe synojnë të frikësojnë dhe të heshtin zërat kritikë.

Përballë këtij realiteti, opozita ka propozuar dekriminalizimin e shpifjes, duke e hequr atë nga Kodi Penal, si një hap për të mbrojtur gazetarët nga persekutimi ligjor.