Ballina Sport De Biasi: Asllani te Torino? Hap vendimtar për rritjen e tij

De Biasi: Asllani te Torino? Hap vendimtar për rritjen e tij

95
0

Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka folur me superlativa për Kristjan Asllanin, duke vlerësuar vendimin e tij për t’u transferuar te Torino në formë huazimi.

Sipas De Biasit, ky hap ishte i duhuri për mesfushorin kuqezi, i cili ka nevojë të ketë minutazh të rregullt dhe një rol më qendror në një projekt teknik afatgjatë.

“Unë besoj se ishte zgjedhja e saktë, sepse Kristjani ka nevojë të luajë vazhdimisht dhe të jetë në qendër të një projekti teknik,” ka theksuar ai.

“Te Interi ai shërbente më shumë si pjesë plotësuese e sistemit, ndërsa tani do të ketë mundësinë të rritet duke ndryshuar ambient, trajner dhe bashkëlojtarë.

Ky proces do të ndihmojë ndjeshëm në zhvillimin e tij.”

De Biasi u shpreh i bindur se Asllani do të tregojë vlerat e tij dhe do të ndiejë plotësisht besimin e klubit torinez, gjë që do t’i japë më shumë siguri dhe përgjegjësi në fushë.

Sipas tij, një sfidë e re si kjo përbën mundësinë ideale për të fituar eksperiencë, për të marrë minutazh të bollshëm dhe për të forcuar personalitetin në lojë.

“Jam i sigurt se ky hap do të jetë vendimtar për rritjen e tij,” përfundoi De Biasi, duke theksuar se Asllani do të bëhet edhe më i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare në të ardhmen.